Imami nga Gjilani, Zeqeria Qazimi është shpallur fajtor për rekrutim dhe nxitje të terrorizmit në vend. Ai nga gjykata themelore e Ferizajt u dënua me 8 vite burgim për rekrutim të xhihaditëve kosovarë dhe 4 tjera për nxitjet të urrejtjes fetare dhe terrorizmit në vend.
Trupi gjykues, vendosi që vendimi unik për ish-imamin e xhamisë “El Kuddus” të jetë gjithsej 10 vite burg.
Ndaj, imamit Qazimi dhe 6 të tjerëve, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në janar të vitit 2015.
Ai krejt punët i del ti ketë kryer bashkë me Ilir Berishën që bashkë me imamin, u dënua me 8 vite burgim, Burim Ballazhin – 4 vite burg, e Sadat Topojani që u dënua me 7 vite e 6 muaj heqje lirie.
Zeqiria Qazimi u dënua nga Gjykata Themelore në Ferizaj për dy vepra penale: 8 vite burgim për rekrutim për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe 4 vite tjera për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Dëshmi se Zekria Qazimi ka qenë rekrutuesi kryesor i xhihadistëve nga Kosova, Gazeta Express ka sjellë vazhdimisht në disa seri shkrimesh që përmbanin SMS-Dëshmi të komunikimeve të imamit me bashkëpunëtoret e tij. Së fundi, në ciklin e Dokumentareve “Zona Express”, “Kampet e Zeza”, ka nxjerrë rrëfimin ekskluziv të një të riu që ishte pjesë e një kampi ‘verorë’ rekrutimi në Dëbellde të Vitisë, bashkangjitur me pamje reale të të njëjtit kamp që kishte funksionuar në vitin 2011.
I pandehuri I.B i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të
Kosovës akuzohet se ka kryer tre vepra penale, rekrutimi për terrorizëm nga
neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale organizimi dhe
pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe për
veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të
armëve sipas nenit 374 paragrafi 2 ë KPRK-së, i cili gjatë shqyrtimeve gjyqësore
ka pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat e ngarkon akuza, dhe i’u
shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tetë (8) vite..
I pandehuri S.T i akuzuar për veprën
penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së,
veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143
paragrafi 2 të KPRK-së, i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej
shtatë (7) vite e gjashtë (6) muaj.
I pandehurit B.B i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga
neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale organizimi dhe
pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, pas pranimit
të fajësisë gjatë shqyrtimeve gjyqësore, i’u shqiptua dënim unik burgimi në kohëzgjatje
prej 4 vite e gjashtë (6) muaj.
I pandehuri J.K, i akuzuar për veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga
neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pas pranimit të fajësisë gjatë
shqyrtimeve gjyqësore për veprat penale i ngarkuar sipas aktakuzës së
prokurorit special, i’u shqiptua dënim me burg në kohëzgjatje prej katër (4)
vite.
I pandehuri L.K i akuzuar për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në
grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, pas pranimit të fajësisë
gjatë shqyrtimeve gjyqësore,, i’u shqiptua dënim burgimi në kohëzgjatje prej
tre (3) vite .
I pandehuri I.K i akuzuar për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në
grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së i’u shqiptua dënim burgimi në
kohëzgjatje prej pesë (5) vite.
Të pandehurit Z. Q, I. B, S.
T, B. B dhe J. K, akuzohen se me dashje kanë bërë thirrje personave të tjerë
për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin
pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime
materiale, gjatë vitit 2011 – 2014, dhe me këtë kanë kryer veprën penale
rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të KPRK.
Të pandehurit I. B, S. T, B.B, L. K
dhe I. K, akuzohen se: me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë e grupit
terrorist, në atë mënyrë që paraprakisht janë marr vesh që të shkojnë në luftë
në Siri dhe të i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e
organizatës terroriste ISIS, kështu që të pandehurit nga Aeroporti i Prishtinës
kanë udhëtuar në Stamboll pastaj në Hatay të Turqisë e pastaj përmes lidhjeve të
krijuara kanë kaluar kufirin Turqi-Siri,
të cilët ndërmjet periudhës 2012 – 2014, kanë qenë në luftë në SIri me qëllim
që duke luftuar, padrejtësisht të detyrojnë qeverinë Siriane që të lënë
pushtetin dhe seriozisht të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturën
kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe pastaj të krijojnë shtetin islamik Iraku
dhe Levant, andaj me këtë kanë kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja
në grupin terrorist nga neni 143 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK.
I pandehuri Z. Q, akuzohet se: duke
keqpërdorur pozitën e tij si Imam në Xhamin ” El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxit dhe përhap
urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike
dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të
prishë rendin publik, në atë mënyrë që në një video incizim të postuar në vitin
2013 në You Tube ka thënë “Gjaku i
kufarëve (mosbesimtarëve) është pija më e mirë për ne”, dhe me këtë ka kryer
veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor,
fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK.
I pandehuri I. B, akuzohet se: nga janarit i vitit
2014 ka mbajtur në pronësi pa leje valide një pistoletë, e cila me me rastin e
bastisjes e shtëpisë është gjetur nga policia, me këtë ka kryer veprën penale
mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374
par.1 të KPRK.