Muharrem Svarqa gjatë vitit të fundit të mandatit të tij sa ishte kryetar në Ferizaj, ishte përkujdesur që të punësonte një “armatë” mësimdhënësish pa konkurs.
40 mësimdhënës ishin punësuar pa asnjë shpallje publike gjatë vitit 2017.
Kështu të paktën ka gjetur Auditori gjatë vitit të kaluar, shkruan lajmi.net.
Ky vendim ishte marrë nga kryetari i Komunës, që aso kohe ishte Muharrem Svarqa.
“Komuna kishte punësuar 40 mësimdhënës në arsim pa procedura të rekrutimit (pa shpallje publike), duke anashkaluar plotësisht kërkesat ligjore. Punësimi i tyre ishte bërë me vendim të Kryetarit i cili ishte bazuar në rekomandimin e Drejtorit i Arsimit”, thuhet në gjetjen e Auditorit.
Për këtë lajmi.net ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga ish-kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Një numër shumë më të madh të të punësuarve pa konkurs në komunën e Ferizajt po e përmend kryetari aktual, Agim Aliu.
Aliu po thotë se nga gjetjet që kanë bërë mbi 200 persona janë punësuar pa konkurs vetëm në sektorin e arsimit.
“Nuk është 40, auditori ka konfirmua 40, por na kemi gjetur gati 200 vende pune pa konkurse vetëm me rekomandime. Afro 200, vetëm në sektorin e arsimit”, ka thënë Aliu për lajmi.net.
Kryetari aktual i Ferizajt është zotuar se përgjatë kohës që e mbanë këtë pozitë nuk do të lejojë punësime pa konkurs. /B.B/Lajmi.net/