M.K. mbikëqyrës i pylltarëve në rajonin e fshatit Jezerc, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për marrje të ryshfetit në shumë prej 100 euro, nga një person i cili synonte që në pyllin ku ishte përgjegjës i arrestuari të pres dru.
“Pas një marrëveshje në mes të dëmtuarit dhe kërkuesit të ryshfetit apo personit zyrtar, kanë lënë takim në restorantin “Berisha Petrol”, në fshatin Nikadin me ç’rast janë takuar aty dhe rreth orës 19:30 kanë hyrë në veturën e personit zyrtar dhe dyshohet se ia ka dhënë 100 euro me qëllim që i dëmtuari të shkoj në pyllin shoqëror që e mbikqyrë personi zyrtar që me marrë dru në mënyrë të kundërligjshme. Personi i ka marrë ato para dhe është arrestuar nga policia dhe pastaj janë zhvilluar procedurat tjera, është bërë kërkesa për paraburgim dhe gjyqëtari i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe gjatë kësaj kohe derisa ai gjendet në paraburgim ne do t’i zhvillojmë hetimet tjera dhe do të shikojmë për ngritjen e aktakuzës”, tha Shkuri Jashari Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Ndërsa në Drejtorinë e Bujqësisë në Ferizaj, thonë se me të arrestuarin, që është zyrtar i kësaj drejtorie, do të veprohet sipas ligjeve në fuqi.
“Zyrtarisht nuk kemi pasur informacion as prej Prokurorisë as prej Gjyqësisë, mirëpo përmes portaleve kam lexuar në internet dhe më vonë kam pyetur në Stacionin e Policisë dhe është vërtetuar se është arrestuar dhe u mbetet organeve të drejtësisë që t’i zhvillojnë hetimet dhe ta japin versionin përfundimtar dhe në momentin që merr vendimin gjykata, ne jemi të obliguar që atë vendim ta respektojmë konform ligjeve që janë në fuqi”,tha Vranovci.
Iniciues i padive dhe kërkesave për hetimin e veprimeve të zyrtarit M.K është Drejtorati Qendror i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti, në kuadër të Agjencisë Pyjore të Kosovës, transmeton Televizioni Tema.