Resul Lika (22) i cili jeton në Kaçanik dhe në Gjermani, thotë se është përballur dy herë me dy situata të rrezikshme, të cilat me pak fat nuk kanë përfunduar me fatkeqësi, përkatësisht me vrasjen e tij.
Sipas tij, ai për një kohë të shkurtër është përballur me dy sulme me armë, nga të cilat ka shpëtuar pa ndonjë lëndim.
Gjatë një rrëfimi që ka bërë për Telegrafin ai ka treguar detajisht të dy ngjarjet.
Sipas Likës, ngjarja e parë ka ndodhur para një jave, në Ferizaj, derisa ai ishte duke ecur në këmbë për të shkuar tek disa shokë.
“Isha duke ecur në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në Ferizaj. Papritmas një person më thërret me emër dhe kur kthehem pas, shikoj dy persona, H.B dhe K.B., që të dy vëllezër. Papritur, ata filluan të më sulmojnë. Unë me disa shokë tentuam të rezistojmë deri sa jemi futur në lokalin e shokëve, aty afër. Pasi u futem brenda, H.B., e ka nxjerrë revolen dhe e ka drejtuar kah unë, për disa sekonda. Pasi pat prezencë të shumë njerëzve, ata ikën nga aty”, rrëfen Resul Lika.
Sipas tij, H.B. është një djalë që është liruar nga burgu që 1 muaj.
“Ka qenë në burg për shumë dosje, edhe për tentim vrasje. I njëjti me kusht është liruar nga burgu”, thotë Resul Lika.
Kurse pas dy ditësh, sipas tij, ai ishte ballafaquar me një situatë edhe më të rrezikshme.
“Isha duke udhëtuar për në shtëpi – i vetëm me veturën e një shoku – nga Kaçaniku për në Strazhe. Rrugës për shtëpi, rreth orës 22:00, derisa po ecja në vendin e quajtur Dubravë e Sepetin të Kaçanikut, i vërej disa gurë në rrugë. Ndalova makinën, dola të shmang gurët nga rruga. Sapo dola, dëgjova krisma të armëve. Rashë poshtë rrugës për tu mbrojtur në mal, e krismat vazhduan. Pastaj dola në rrugë duke vrapuar, telefonova disa shokë e pastaj edhe policinë. Për fat të mirë aty erdhi një kalimtar rasti, ishte i lagjes sime, hipa në veturën e tij dhe vazhdova për në shtëpi”, rrëfen Lika për Telegrafin.
Sipas tij, Policia e ka konfirmuar se arma ishte kallashnikov.
“Ata kanë gjuajtur në drejtim të automjetit tim dhe e kishin shpuar disa herë plumbat. Po të isha brenda në automjet, me shumë gjasa kisha qenë i vdekur”, shton më tej ai.
Lika thotë se personat nuk dihen për këtë rast të fundit.
“Ndërsa për rastin në Ferizaj, policia speciale e kanë arrestuar K.B., vëllanë e Hasan Berishës, i cili është në arrati”, bën të ditur ai.
Djaloshi nga Ferizaj thotë se nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë.
“Nëse do të dalë në gjyq, do të kërkojë arsyen se pse kanë dashur të më vrasin. Unë kurrë nuk kam pasur asnjë telashe, as më të voglën me ta”, përfundon ai.
Lidhur me këtë rast, zyrtarë të Policisë për Rajonin e Ferizajt, gjatë ditës së mërkurë nuk kanë mundur të japin ndonjë detaj.
Kjo pasi që, përderisa njëri prej zyrtarëve (Agim Gashi) ka thënë se është në pushim, tjetri (Basri Shabani) ka thënë se është i zënë me ligjërata. /Telegrafi/