08,01,2026

2026-ta NJË “DEZHA VY” DHE REMINISHENCË E SINDROMËS SË FAJIT KOLEKTIV                                          (Collective Guilt Syndrome)

Must Read

Në mbamendjen tonë vizuale 2026-ta përherë do shfaqet si një fillim viti i ri, cili me vehte bartë edhe një fitore të re mbi “armikun e popullit” i bërë ”tokë e zezë”, i manifestuar me pamjet e rrotullimit të gomave e deri te thyerja e shkatërrimi i kusijave, të cilat në asnjë formë nuk ngjajnë në asnjë ritual autokton identitar, bile as në ritualin e fitores së lojrave autoktone me kapuq, kur fituesit mbajnë një rregull manifestimi të këndimit me humor mbi humbësin.

Këto manifestime mbase në vetvete ngërthejnë degjenerimin dhe dekadencën kulturore të demokracisë në mesin tonë. Imazhet me rrotullim gomash e shkatërrim kusijash disi kulturalisht na dërgojnë diku në mjedise orientale edhe pse ishin spontane si shprehje e një mllefi fitues, megjithatë kujtesa asociative na sjell në mendje disa aktivitete rekreative ose “terapitë alternative” që egzistojë në Angli. Pra, në botën e oksidentit ku gjejnë vend edhe hapësira të krijuara natyrisht të kontrolluara nga njerëzit, ku individ apo grupe të veshur me paisje mbrojtëse, me shkop bejsbolli, çekan ose shufra hekuri shkatërrojnë gjëra e sende të vjetra: automobil, televizor, printer, pjata, mobilje etj.  Ideja është që personi apo grupe personash të zbrazin stresin, frustrimin apo agresivitetin në mënyrë të sigurt dhe të organizuar. Në disa dokumentar britanik, kjo paraqitej si kontrast ndaj jetës së përmbajtur dhe të disiplinuar urbane të shoqërisë angleze. Fenomeni i cekur njihet si “dhoma e tërbimit” (“Rage Room”, “Anger Room” ose “Smash Room”) , prandaj sot këto ambiente nuk konsiderohen terapi klinike, por aktivitet rekreativ ose vende të shkarkimit emocional afatshkurtër.

Degdisja e shoqërisë sonë në rrokullisje gomash e shkatërrim kusijash mbase nuk është rasti i asociacionit të lartëcekur, Thellësia e këtij tërbimi emocional qenëson tek mungesa e një katarsisi shoqëror të pa arritur pas ardhjes së lirisë dhe mosnjohjes së sajë si arritje e sakrificës dhe e përkrahur nga miqë e aleat si SHBA, si të tillë jemi shëndrruar në “habitat i tufës” ku variablat psikologjike janë të manovrueshme dhe psikologjia e turmës lëvizë me inercionin koheziv të drejtuar nga kulti i quajtur edhe “Baba”.  

Një analizë e thjesht e skenës politike ose figurativisht “habitatit politik” në Kosovë, do të nxjerr në pahë jetëgjatësinë, ngritjen, rënjen po edhe zhdukjen e disa “specieve politike”, ndërkohë që ambienti politik nën  protektorat ndërkombëtar e më vonë me pavarësi shtetërore të mbykqyrur, sa ishte ambient me kompetenca të kufizuara po aq ishte edhe i kufizuar në zhvillim vendor. Në këto rrethana të “habitatit politik”, dhe moqaleve të krijuara do të ngjizë një krijesë tjetër “hibride” që do të ngazëllej si shpresa e madhe e artikulimit politik deri atëherë siq ishte: Bashkimi kombëtar, lufta pa kompromis ndaj korrupcionit dhe barazia shoqërore. Po, si nuk do të ishte kjo një magnet tërheqjeje për çdo të pakënaqur deri atëherë. Pra, kjo ishte epistema politike ku dhe vetë emërtimi ngërtheu sovranizmin e plotë politik si VETËVENDOSJE!

Kosova ndonëse shtet i ri si rast “sui generis” dëshmoi se demokracinë si kategori kushtetuese nuk e ka si levë revolucionare por rrotacionin politik e bëri me normalitet politik të pakontestuar. Ndërkaq rruga revolucionare e VETËVENDOSJES! drejt pushtetit, dëshmoi një fakt të dhimbshëm historik se “Revolucioni i hanë bijtë e vet”. Pjekuria dhe racionaliteti politik i klasës politike të mëparshme mundësoi që Kosova rrespekton rrotacionin e pushtetit sipas votës demokratike e jo kalljen e vendit.

Këtë revolucion elektoral të VETËVENDOSJE!-es të arritur në 2021 dhe me “Dezha vy”-në e 28-dhjetorit në 2025, u dëshmua se shoqëria jonë është ende në fazën e “tufës politike” dhe ajo ndjekë instiktin e “përkatësisë” së grupit si fuqi mundëse e jo si zgjedhje racionale zhvillimore të mirëqenjes sociale. Kjo është e tejdukshme në manifestimin dhe mënyrën e votimit me yryshin e mbytjes së tjetrit, si triumf dhe “detyrë patriotike”. Jo rastësisht besimi deliresk i masave të turmës, në përshkrimin e gjatë të Sigmund Frojdit për turmën, pos tjerash shkruan : “…Turma është tepër e sugjestionushme dhe e besëlehtë, është e zhveshur nga shiriti kritik, e pavërteta nuk ekziston për të. Ajo mendon me figura, të cilat i shfaqen njëra pas tjetrës nëpërmjet asociacioneve,….”. 

Se racionaliteti i mendjes nuk gjenë vendbanim brenda turmës, ai i delegohet me automatizëm okultist “Babës” si zgjidhje mesianike e autokonformizmit në raport të përgjegjësisë se ai “Nuk lëshon pe”.   

Historia e sundimit të popujve është tregues i sakt se dimensioni psikologjik ka qenë faktor dhe mjet kryesor i nënshtrimit dhe mbajtjes së pushtetit siç ishte mbjellja e frikës, përjashtimit dhe pasojës nga “hyqymeti”. Në rastin tonë konkret narracioni i krejt kësaj “Dezha vy”-je (tani më e parë), ka qenë desensibilizimi (ulja e ndjesisë) për realitetin e dështuar qeverisës të vendit, duke vendosur diskurs publik polarizimin socio-psikologjik në: “Ne dhe Ata”. Ne -shpëtimtarët dhe Ata-rrënuesit, Ne –patriotët dhe Ata-tradhtarët, Ne-engjujt e Ata-hajdutët, etj.

Autorësinë e këtij polarizimi e kishte legjitimuar kush më shume se kreu numër dy i partisë në pushtet “lenori -zbutësi i gjërave që nuk shkuan mirë ” i cili me eufemizëm i shmanget fjalëve të thëna më herët: Se me 9-shkurt do të kuptohet kush është për qeverisje të vendit nga Beogradi e kush për qeverisje Shqiptare?!

Një mendje e shëndoshë as nuk do e pranonte këtë ndarje e aq më pak ta deklaronte si të tillë, sepse kjo dikotomi polarizuese me automatizëm do të ishte retushim i historisë sonë e cila nuk fillon në vitin 2021. Të polarizosh shoqërinë me gjuhë populiste sipas preferencave partiake në patriot e tradhtar, është gjëja më ogurëzezë në kohë demokracie. Të mbjellësh ndarje e njëkohësisht të lozësh patriotizmin është sa e pështirë aq dhe hipokrizi, ndërkaq rezultati i manipulimit të variablave ka një rrjedhojë logjike – Ndarjen. Hipokrizia nuk ilustrohet më thjesht se kaq, sepse të promovosh ndarjen në “Ne-patriotët dhe Ata-tradhtarët” atëherë paradoksi i simbiozës së përqarësit me patriotin është kontradiktore dhe vetëpërjashtuese. Të nxjerrësh kartën e nacionalizmit post festum si ofertë zgjedhëse ishte gjëja më pa denjë sepse pasoja do të jenë kolektive edhe ndër breza. Çka më shumë se kjo frymë do të ishte krijues i ambientit të rishfaqjes së simtomave që shëndrrohen në sindromë kronike e Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik (PTSD-së).

Me që epilogu i rezultateve zgjedhore si pasqyrim komulativ e përligji bipolarizimin shoqëror, pra fitore të një mazhorance monolite si premisë e rrezikimit të demokracisë parlamentare. Ajo çfarë mund të shihet si rezultat i dikotomisë në “Ne dhe Ata”, për rrjedhojë kemi dy populacione. Në njerën anë ata që ishin pjesëmarrës të drejtëpërdrejt ose indirekt të luftës çlirimtare dhe në anën tjetër pjesa tjetër e deportuar detyrueshëm ose inaktivizuar por e traumatizuar indirekt gjithësesi. Pra, në këtë klimë të aktualitetit politik i pashmangshëm do të jetë impakti në riaktivizimin e simtomave dhe manifestimit të sindromës kolektive të PTSD-së (Çrregullimi i stresit posttraumatik). 

Në tërësinë e kolektivitetit si shoqëri e dalur nga lufta dhe patrajtuar me një ristartim të jetës në kordinatat e një protektorati ndërkombëtar dhe shteti të lindur pas lufte, për pasojë të këtij diskursi aktual politik që fatkeqësisht sjellë edhe vota elektorale e përfitime pushteti mazhoritar, patjetër që do të ketë përjetim apo reminishencë të së kaluarës dhe epilogu i dëmeve do të mbetet jetëgjatë. Pasojat do të mbeten kronike sepse nëse një pjesë të shoqërisë e kthen tek istikamet e rezistencës, nga ato pozita nuk mund të pritet tjetër pos zjarrit mbrojtës dhe nga ana tjetër masën që ishtë më e madhe si kolektivitet i përndjekur e i deportuar, do të ketë reminishencën e sindromës së fajit kolektiv. Që të dy taborret në ambientin  dhe klimës bipolarizuese në “Patriot e Tradhtar” do të jenë në të njejtin riciklim të sindromës traumatike të PTSD-së (Çrregullimit të stresit posttraumatik).

Për lexuesin: Çfarë është PTSD? Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) është një grup reagimesh që mund të shfaqen tek njerëzit që kanë përjetuar ose dëshmuar një ngjarje traumatike që kërcënon jetën ose sigurinë e tyre (ose jetën dhe sigurinë e të tjerëve përreth tyre). Këto përfshijnë aksident me makinë ose ndonjë aksident tjetër serioz, agresion – sulm fizik ose seksual, kriminal, dhe ngjarje që kanë lidhje me luftën ose torturën, ose një katastrofë natyrore si zjarri ose përmbytja. Pothuajse të gjithë ata që përjetojnë ngjarje traumatike kanë reagime post-traumatike. Ndërsa për disa njerëz, këto reagime nuk largohen brenda pak ditësh ose javësh, por vazhdojnë dhe vështirësojnë jetën e tyre – ky fenomen i reagimeve quhet çrregullimi i stresit post-traumatik.

PSE DO E VUAJMË SI DUKET EDHE PËR NJË KOHË SINDROMEN e PTSD-së ?

Në vazhdën e kësaj duke filluar nga kreu i quajtur dhe i vetëquajtur “Baba”, pa përjashtim ne kemi vuajtur një traumë shoqërore, se çfarë janë simtomat e sajë dhe a do t’i vuajmë këto edhe në trajtë të sindromës së PTSD-së varet nga kahjet dhe rrjedhat e zhvillimit shoqëror, të cilat në kohezionin e saj duken se po rrëshqasim në polarizim të thellë shoqëror me tendencë të totalitarizmit me slloganin:“Krejt dhe drejtë” dhe “Mos lësho pe!”. Në një shoqëri normale demokratike do duhej të ishte shqetësim kur vektori i ecjes sonë është me kahje “Krejt dhe drejt” e jo me“Drejt për krejt”. Shqetësuese do duhej të ishte prirja e liderit për pushtet omnipotent, pushtet mbi të gjitha pushtetet me sindromë të hubrisit (të teprisë). Shqetësuese do duhej të ishin edhe objektivat drejt pushtetit hegjemon, krahas objektivave të një shteti të pa përfunduar me synime integruese ndërkombëtare.

Pa hyrë në shpjegime të gjata për shkaqet dhe simtomat e sindromës PTSD-së, një skemë e thjeshtuar kohore si fazat: Latente-riaktivizim-subakute-akute dhe stabilizim (kronike) të cilat nuk janë lineare në grafikun e rishfaqjes së tyre, me gjasë neve ka për të na u shëndrrue në fazë stabilizimi ose fazë kronike ndër breza. Diskursi i krijimit të ambientit politik bipolar do të jetë predispozitë e cila përmes bipolaritetit do e godas edhe më shumë pjesën mbështetëse të partisë në pushtet, në këtë antagonizëm të krijuar do të rikthehen “gropat e fjetura emocionale” sepse shoqëria e deportuar – e traumatizuar do ta rishfaqë sindromën e saj, sindromën e mungesës për rezistencë. Lehtësia e linqimit të komandantëve të luftës çlirimtare si tradhtar e kriminel do të rizgjoj ndjenjën e plotësimit të “gropave emocionale të fjetura”, duke i shtuar kësaj edhe mospajtimin apo katarzës së pakryer shoqërore, si zhvillim i aftësisë së paaftësisë për pranimin dhe lehtësim të plagës së lirisë. Se liria ishte çmimi dhe vlera e përgjithshme që e fituam.

Shpesh trauma ekuivalentohet me Çrregullim të Stresit Posttraumatik (PTSD), disa individ apo grupe komunitare kanë reziliencë të lartë dhe vazhdojnë të ecin vet, e disa gjejnë ngushëllim dhe shërim përmes mbështetjes së të dashurve të tyre, duke përfshirë familjen, miqtë, institucionet dhe udhëheqësit shpirtërorë. Për fatkeqësinë tonë kolektive sot ndodhemi në riciklim të sindromave traumatike në vend ecjes drejt normalitetit shoqëror.

Në psikologjinë komunitare dhe të traumës, një masë komuniteti e deportuar nga lufta, që nuk ka mundur të rezistoj ose të qëndroj në mbrojtje të vendit, shpesh nuk përshkruhet me një diagnozë të vetme klasike, por me një kompleks sindromash kolektive. Këto njihen si reaksione psikologjike dhe morale pas traumës së largimit (deportimit) me detyrim.

SINDROMA E FAJIT KOLEKTIV (Collective Guilt Syndrome)

Është shumë e zakonshme pas deportimeve në masë, simptomat që grryejnë së brendshmi janë: Ndjenjë e vazhdueshme faji (“nuk bëmë mjaft”), vetë-akuzim kolektiv, turp i trashëguar (edhe te brezat pasues), heshtje për të kaluarën ose justifikim i vazhdueshëm. Ky faj shpesh nuk bazohet në përgjegjësi reale, por në pamundësi objektive për rezistencë. Trauma morale kolektive (Collective Moral Injury) si ndjesi e komunitetit se ka shkelur vlera thelbësore (nder, mbrojtje, sakrificë), me simptomat si: konflikt i brendshëm midis mbijetesës dhe idealit moral, zemërim i kthyer nga vetja ose nga të tjerët, humbje e kuptimit të sakrificës, dyshim i thellë ndaj autoritetit ose lidershipit. Pra, një traumë morale, jo dobësi morale.  

Trauma kolektive e pazgjidhur (Unresolved Collective Trauma), shpesh komunitetet deportuese: nuk flasin për humbjen, e minimizojnë përvojën, e shtyjnë dhimbjen. Me simptoma si: mungesë dialogu ndërbrezor, narrativa të copëzuara historike, emocione të shtypura që dalin si irritim, cinizëm, ose apati.   

Konceptualisht kjo gjendje mund të përmblidhet si: Sindromë e traumës morale dhe fajit kolektiv pas deportimit të detyruar, kjo nuk është frikacakëri, dështim moral e mungesë patriotizmi, është reagim njerëzor ndaj pamundësisë ekstreme, pasojë e mbijetesës nën rrethana të pabarabarta. Por, ka gjasa reale që ndjenja e mungesës së rezistencës (faj, turp, traumë morale) të shndërrohet në mekanizëm hakmarrës simbolik ose psikologjik ndaj krahut rezistues çlirimtar në kohë paqeje. Kjo nuk ndodh si dhunë fizike, por si dinamika sociale, politike dhe emocionale. Transformimin nga faj i brendshëm në agresion të zhvendosur, kur një komunitet ose grup nuk e përballon dot fajin për “mosrezistencën”, në mungesë hapësire për ta përpunuar traumën, fajit i ndryshohet drejtimi nga vetja drejt atyre që rezistuan. Psikologjisë komunitare dhe studimet mbi traumën kolektive, e njohën si agresion i zhvendosur psikologjik.

Format kryesore të “hakmarrjes” në paqe të njohura si delegjitimim moral të shfaqura me tendencat e minimizimit ose relativizimit të rezistencës, evidentohen si qëllimet e pavetëdijshme si: ulja e peshës morale të atyre që rezistuan, rishkrim i historisë duke theksuar gabimet e krahut rezistues, heshten rrethanat ekstreme të luftës, idealizohet “neutraliteti” ose mbijetesa pasive, kjo nuk është analizë historike e ftohtë, por mekanizëm mbrojtës kolektiv. Po ashtu vjen në shprehje edhe zemërimi moral i maskuar që shfaqet si: cinizëm, tallje, skepticizëm i tepruar, lodhje morale (“mjaft me luftën”). Në thelb një zemërim ndaj atyre që na kujtojn atë që nuk arritëm ta bëjmë.

Polarizimi politik në kohë paqeje rezistencën  dhe çlirimin e shëndrron në “problem”, jo si bazë identitare. Kjo është formë hakmarrjeje simbolike, jo politikë e pastër. Pse ndodh pikërisht në paqe? Sepse në luftë ekziston justifikimi i mbijetesës, në paqe lind krahasimi moral, paqja sjell pyetjen: “Çfarë bëmë ne?” Dhe kjo pyetje është e dhimbshme. Thelbësisht për t’u kuptuar, kjo sjellje: nuk është ligësi, nuk është tradhti e vetëdijshme, është pasojë e traumës morale të papërpunuar. Një komunitet që nuk e ka shëruar “fajin e turpit kolektiv ” (Collective Guilt Syndrome): Nuk sulmon armikun, por simbolin e asaj që s’arriti të ishte.

Sindromat dhe smptomat e mësipërme do të riciklohen falë një pushteti të ringritur nga përkrahja e një mase të prozelitizmit okultist (xhematit politik) e cila e ndjekë kultin edhe pas dështimeve në profecitë e tija, duke u mbytur në një fanatizëm të delirosur për “Babën” i cili nuk lëshon pej. Kësaj “Dezha vy”-je që erdhi me fuqinë e  dytë vërshuese elektorale, si inercion i masës e cila do të kjartësohet me tagrën e kohës kur në sipërfaqe do të ngelen kërqablat e mbetjeve përmbytëse të vërshimit. Reminishenca jonë kolektive do të kuptojë se si kishte qenë peng edhe i një sindrome tjetër – Sindroma e Stokholmit (gjendje psikologjike, raport dashurie dhe ndjenja pozitve ndaj pengmarrësit të saj).

Në këtë “Revolucion demokratik” të vullnetit qytetar, opozita inferiore nuk dukej në dinamikën e saj, ngeli e pa artikuluar dhe jo këmbëngulëse në autorësinë e shtetndërtimit sepse ishte e nxenë brenda zyrave me komoditetin indiferent dhe delirit politik si patronazh i centralizmit demokratik internal.     

P.S. Historia e çmendurisë është historia e pushtetit. Sepse ai imagjinon pushtet, çmenduria është njëkohësisht paaftësi dhe fuqishmëri. Kërkon pushtet për ta kontrolluar atë. Duke kërcënuar strukturat normale të autoritetit, çmenduria është e angazhuar në një dialog të pafund, në një monolog – monomaniakal herë pas here rreth pushtetit.                    (Roy Porter Historia Sociale e Çmendurisë: Historitë e Të Çmendurve, Weidenfeld & Nicolson, 1987 fq. 39)

Prof, Enver Bajrami – ish aktivist i LVV-së

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Një person nuk i ndalet patrullës së policisë dhe shkakton aksident trafiku në Ferizaj

Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndërmarrë veprime ndaj një personi për disa kundërvajtje në trafik. Më datë 05.01.2026,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img