Mbi 3000 euro, për dy muaj, po dyshohet t’u janë vjedhur nëntë klientëve të TEB Bankës nga një punonjëse e kësaj banke në Ferizaj. Analistja e klientëve Muhane Plakaj është arrestuar para tri javësh nga Policia për plaçkitjet në xhirollogari bankare, që i ka kryer çdo të enjte, gjatë periudhës shtator-nëntor të vitit të kaluar. Me vendim të Gjykatës e dyshuara është lënë e lirë. Për të njëjtin rast po hetohet edhe një punonjëse tjetër e kësaj banke.
Çdo të enjte, Muhane Plakaj, analiste e Portofolios së Klientëve Individualë në TEB Bank, në Ferizaj, për dy muaj rresht, po dyshohet se ka plaçkitur xhirollogaritë bankare të klientëve me kartelë ‘StarCard’ të kësaj banke. Nga shtatori deri në nëntor të vitit 2016 ajo dyshohet se çdo javë në të njëjtën ditë ka kryer pagesa të veta për blerje, duke shfrytëzuar të dhënat bankare të klientëve të saj.
29-vjeçarja është arrestuar më 25 tetor 2017, një vit pasi janë kryer plaçkitjet e denoncuara nga nëntë klientë të TEB Bankës.
Shuma e plaçkitur llogaritet të jetë 3 mijë e 115 euro nga nëntë kredit kartela “Star Card”.
“Me datën 25.10.2017, nga Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është arrestuar e dyshuara femër K-Shqiptare zyrtare në një bankë, me dyshimin e bazuar se e njëjta në vazhdimësi u ka tërhequr nga xhirollogaritë private vlera monetare të ndryshme klientëve të bankës”, kishte njoftuar Policia një ditë pas arrestimit.
Ndaj të dyshuarës, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar t’i caktohet masa e arrestit-shtëpiak, por Gjykata Themelore e qytetit, më 26 tetor 2017 e ka liruar atë, duke i caktuar masën alternative të “ndalimit për t’iu afruar vendit ose personave të caktuar”, në këtë rast klientëve të Bankës TEB të cilët dyshohet se janë plaçkitur nga punonjësja.
Mihane Plakaj, sipas Prokurorisë, si zyrtare e bankës, kishte shfrytëzuar pozitën e saj si analiste e portofolios së klientit dhe përmes kredit kartelave ‘Star Card’ të Bankës TEB kishte kryer pagesa në qendra të ndryshme tregtare për nevoja të saj personale.
Ajo dyshohet se plaçkitjen e ka kryer tek klientët të cilët në bankë kishin kërkuar t’i mbyllnin llogaritë e tyre bankare të kartelave “StarCard”.
Arrestimi i 29-vjeçares nga Ferizaj ka ndodhur pasi nëntë klientë denoncuan rastin në Polici, që më pas çoi në ngritje të kallëzimit penal nga ana e Drejtorisë për Krime Ekonomike e PK’së në Ferizaj.
Për të njëjtin rast, Gazeta Express merr vesh se janë duke u kryer hetime edhe ndaj një të dyshuare tjetër, po ashtu punonjëse në Bankën TEB.
“Nga muaji shtator deri në muajin nëntor të vitit 2016, në Ferizaj, në TEB Bank, e pandehura me qëllim të përfitimit të saj pasuror duke shfrytëzuar detyrën e saj zyrtare ka tejkaluar kompetencat zyrtare në atë mënyrë që e pandehura Mihane Plakaj si analiste e portofolisë për klient individual nga llogaritë bankare të klientëve L.L., P.M., M.M., N.Q., R.V., Q.A., A.R., H.B., dhe Sh.S., për nevoja personale ka bërë pagesa nëpër qendra të ndryshme tregtare me shumë të përgjithshme prej 3.115,14 Euro”, thuhet në kërkesën e prokurorit Arben Ismajli për caktimin e masës së arrestit-shtëpiak ndaj të dyshuarës për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të njëjtën ditë, Gjykata Themelore e Ferizajt e liroi të dyshuarën nga masat e sigurisë, duke i caktuar vetëm ndalesë për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, e cila llogaritet nga dita e arrestimit të saj.
“Gjatë kësaj periudhe e pandehura Mihane Plakaj nuk guxon t’u afrohet dhe të kontaktojë me personat si në vijim: L.L., P.M., M.M., N.Q., R.V., Q.A., A.R., H.B., Sh.S., dhe V.SH., në distancë prej 5 metra, në të kundërtën ndaj saj do të caktohet masa e paraburgimit”, thotë vendimi gjykatës.
Gazeta Express që nga 26 tetori 2017 ka kërkuar sqarime me e-mail nga banka TEB rreth këtij rasti, mirëpo nuk ka marrë përgjigje. Të enjten as menaxheri i degës së TEB Bankës në Ferizaj nuk ka dhënë sqarime, duke referuar për të kontaktuar zyrën qendrore të Bankës në Prishtinë. As kjo zyre nuk është përgjigjur në numrin e kontaktit që i është dhënë Gazetës Express. /M.Gj./GazetaExpress/.