27,12,2024

​Nëna e kamikazit nga Ferizaj, ngarkon Shefqet Krasniqin për radikalizimin e djalit të saj

Must Read

Interesimin për fenë e kishte shfaqur qysh në vitin 2012. Fillimisht falej në xhaminë e fshatit Vranosh të Ferizajt, prej edhe nga vinte, e më pas Blerim Heta gjatë gjithë kohës i përkushtohej dëgjimit të ligjëratave të imamit Shefqet Krasniqi, të cilat ky i publikonte në YouTube.

Këtë autoriteteve kosovare ua ka pohuar nëna e të riut kosovar që kreu sulm kamikaz në kryeqytetin irakian, në mars të vitit 2014. Në deklaratat e saj të dhëna dy vite pas aktit të tmerrshëm terrorist që kreu djali i saj, Minire Heta në polici dhe prokurori tha se raportet e saj me të birin kishin ndryshuar shumë në periudhën e fundit para se ai të nisej për në Irak, gjatë kohës kur ishte fokusuar së dëgjuari ligjëratat e imamit të xhamisë së madhe të Prishtinës.

“Për Blerimin gjatë kësaj kohe (viti 2013) ekzistonte vetëm zoti dhe Shefqet Krasniqi, si i gjithëdijshmi dhe më i mençuri”, kishte thënë Minire Heta në dëshminë e saj, e cila u bë pjesë e aktakuzës për terrorizëm ndaj imamit kontrovers.

Në vitin 2013, Blerim Heta kishte marrë rrugën për në Siri e Irak, pa i treguar askujt në familje për vendimin e tij, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 27 shkurt 2017, ndaj Shefqet Krasniqit, të siguruar nga Gazeta Express.

“Kur Blerimi e ka marrë rrugën për në Siri, asnjëri nga familja e tyre nuk ka qenë në dijeni por kanë besuar se ka shkuar në Turqi për trajnim, ndërsa më vonë e kanë marrë vesh se ka shkuar në Siri, ndërsa komunikimin e fundit me Blerimin dëshmitarja e ka pas me datë 24.03.2014”, thuhet në aktakuzë.

Ndikimin tek veprimet e Blerimit, në aktakuzë thuhet se nëna e tij ia ka atribuuar imamit të akuzuar Shefqet Krasniqi dhe bashkëpunëtorit të tij të dënuar Musa Ademi.

“Atje është xheneti… siç thotë Shefqet Krasniqi, ajo botë është çfarë është, se në këtë botë nuk kemi asgjë”, ka kujtuar në dëshminë e saj t’i ketë thënë i biri Minire Hetes, pak kohë para shkuarjes në ISIS.

“Gjatë kësaj kohë (2013) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Shefqet Krasniqin dhe ka dëgjuar vazhdimisht ligjëratat e tij, madje shpesh herë gjatë tërë natës”, kishte thënë nëna e kamikazit kosovar.

Ajo autoriteteve u kishte treguar se Blerimi në muajt e fundit para shkuarjes në ISIS kishte filluar të mos u fliste për dore femrave, pasi një gjë të tillë ia kishte thënë imami Krasniqi. Kishte shkuar deri aty sa edhe kontaktin fizik me vajzën e axhës apo tezes e kishte ndërprerë.

“Nusen mua ma gjen Shefqet Krasniqi dhe a po don ta thrras tani”, ka kujtuar ajo në dëshminë e saj, t’i ketë thënë Blerimi derisa ajo e kishte kritikuar se me sjellje të tilla do të mbetej pa u martuar.

Imami që nxiti terrorizëm, vodhi edhe shtetin

Blerim Heta nuk ka qenë i vetmi që dyshohet se u nxit të marrë rrugën për në Siri e Irak nga imami i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Shefqet Krasniqit, në shkurt të këtij viti, pretendon se imami kontrovers gjatë vitit 2013 dhe 2014, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndare mesazhe për publikun, me anë të të cilave, ka shtyrë të tjerët t’u bashkohen organizatave terroriste në zonat e konfliktit në Azi, e që më pas kanë kryer akte terroriste.

“I njëjti duke shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta para publikut me anë të ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit si TV dhe radio, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të Ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame […] ka ndikuar tek të tjerët që të marrin rrugën dhe ti bashkohen organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra, të cilat luftojnë kundër pushtetit Sirian dhe për krijimin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, siç është rasti i Venera Ademit, Ilir Mustafes apo rasti i Blerim Hetës – e nga veprimet e këtij të fundit përmes një akti terrorist vetëvrasës, më datë 25.03.2014 ishin vrarë 52 persona në Irak”, thuhet në piken e parë të aktakuzës ndaj Shefqet Krasniqit, i akuzuar për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.

I njëjti akuzohet se gjatë së njëjtës periudhë kohore, gjatë të njëjtave ligjërime të tij, ka kryer edhe veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, ndërmjet komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.

Në piken e tretë të aktakuzës, imami i xhamisë së madhe të Prishtinës, akuzohet edhe për “Shmangie nga tatimi”, pasi i njëjti dyshohet se nuk ka paguar mbi 20 mijë euro obligime tatimore për biznesin e tij privat “N.T. Portat”.

“Prej vitit 2011 deri në fundvitin 2016, me qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose tërësishme të tatimit, me dashje ka jap të dhëna të pavërteta si dhe nuk ka përfshirë-deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke mos i kryer kështu detyrimet të cilat rrjedhin sipas ligjit për ATK, ku si rezultat i këtyre veprimeve i njëjti i është shmangur detyrimit në tatim duke mos i kryer obligimet tatimore në vlerë të përgjithshme prej 20,208.57 Euro”, thuhet në aktakuzë, shkruan Gazeta Express.

Gjyqi ndaj Shefqet Krasniqit ka nisur më 14 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Themelore të Prishtinë. Një javë pas shqyrtimit fillestar, kjo gjykatë refuzoi kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ndaj ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinës.

“Nuk e pranoj sepse nuk kam ba kurgjo”, i ka thënë Krasniqi trupit gjykues në seancën e shqyrtimit fillestar të aktakuzës.

Rrëfimi për Blerim Hetën

Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, një javë pasi kishte kryer sulmin vetëvrasës në Bagdad, kishin akuzuar imamin Krasniqi dhe hoxhallarë tjerë se i kishin mashtruar të birin që u morri jetën 52 personave në Irak.

Ata thoshin se Blerimit ia kanë shpërlarë trurin me ligjërata. Sipas tyre, i riu ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia.

Më 24 mars 2014 familja Heta nga Varoshi i Ferizajt pat rrëfyer për Express për telefonatën e fundit me të birin, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri.

“Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që ai ua kishte kumtuar atyre.

Të nesërmen, më 25 mars, Blerim Heta kreu sulmi vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë.

“Ndalini sa nuk është vonë”, ishte thirrja e Ramiz Hetës për prindërit që i shohin fëmijët e tyre se po bëhen ekstremistë.

Blerim Heta ishte parë për herë të fundit më 7 gusht 2013 në Ferizaj. Atë ditë ai kishte ikur nga shtëpia në Varosh për të shkuar në Siri.

Sipas një dëshmitari, atë e kishte marrë një makinë e kuqe, e cila për pasagjerë kishte edhe tre burra në moshë e me mjekra të gjata.

Familja, në rrëfimin e tyre në prill të vitit 2014, thoshte se kurrë nuk e zbuloi se kush e mori djalin e tyre. Ai atë ditë ishte vetëm në shtëpi, pasi që prindërit dhe vëllezërit kishin qenë në Gjermani, derisa motra e tij, e martuar, kishte qenë te shtëpia e burrit të saj.

Një bashkëpunëtori i Shefqet Krasniqit është dënuar për rekrutimin e Hetes

Në shtator të vitit të shkuar, Gjykata Themelore në Ferizaj kishte dënuar me 5 vite burgim, Musa Ademin, si kryerës të veprës penale “rekrutim për terrorizëm”.

Ademi kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Shefqet Krasniqit. Gjykata në aktgjykimin e shpallur më 23 shtator 2016, vërtetoi se gjatë muajit gusht 2013, të rekrutuar nga Ademi, Blerim Heta dhe Faton Ivaj, kishin udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj u janë bashkuar organizatës terroriste ISIS, në Siri.

Dënimin ndaj Musa Ademit, e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit më 13 dhjetor 2016.

Ademi, sipas aktgjykimit të themelores, ka organizuar shkuarjen në Siri edhe të Fitim Lladrovcit dhe Nexhdet Berishës. Ky i fundit në momentin e fundit e kishte ndërruar mendimin dhe nuk ka shkuar në këtë organizatë, kurse Fitim Lladrovci si pjesëtar i ISIS-it në Siri kishte qëndruar rreth 5 muaj dhe i njëjti tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet terroriste në këtë organizatë. /M.Gj./GazetaExpress/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img