Kosova do të përballet me Maqedoninë në gjysmëfinale të Ligës se Kombeve në fillim të vitit 2020, nëse dështon të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2020 përmes rrugës tradicionale të kualifikimeve.
Kosova, bashkë me Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë janë fituese të grupeve të tyre përkatëse në Ligën D të garës inauguruese të UEFA-s, Liga e Komeve, shkruan Gazeta Express.
Kosova e fitoi Grupin 3 si Kombëtarja më e mirë me 14 pikë dhe kjo ia ka siguruar një vend në gjysmëfinale kundër Maqedonisë, që e ka fituar Grupin 4. Ndeshja mes këtyre të dyjave do të zhvillohet në mars të vitit 2020.
Dy Kombëtaret që i fitojnë ndeshjet e gjysmëfinales do të ndeshen mes vete në finale të Ligës D dhe skuadra që triumfon në këtë ndeshje e siguron një vend në Kampionatin Evropian, që fillon më 12 qershor të vitit 2020.
Megjithatë, nëse Kosova arrin ta sigurojë një vend në këtë garë përmes rrugës tradicionale, ajo nuk do të garojë fare në gjysmëfinale, duke ia lënë vendin e saj Kombëtares së dytë të ranguar më së miri.
Dardanët fillimisht do të tentojnë të kualifikohen përmes rrugës tradicionale, duke kaluar nëpër këto faza:
2 dhjetor 2018 – Shorti i grupeve për kualifikime në Evropian
21 mars 2019 – Fillojnë ndeshjet kualifikuese për Evropian
22 nëntor 2019 – Shorti i playoffs për kualifikime në Evropian
1 dhjetor 2019 – Shorti për fazën grupore në Evropian
26 mars 2020 – Fillojnë ndeshjet e playoffs për kualifikim në Evropian