25,10,2025

Vrasja në Istog, arrestohen 2 të dyshuar

Must Read

Lidhur me rastin e vrasjes që ka ndodhur sot pasdite në Istog, ku u vra polici Izet Demaj dhe grabitësi i dyshuar, Kamber Metaj, janë arrestuar dy persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Gashi tha se janë ndaluar dy persona të afërt të grabitësit.

Sipas prokurores, të ndaluarit dyshohen për ndihmë në aktin e grabitjes.

“Gjatë aksionit që e kemi ndërmarrë kemi ardhë deri tek informata për dy persona të cilët e kanë ndihmuar personin që ka kryer grabitjen në bankë dhe e ka qëlluar policin me armë. Ata janë të afërm të tij, njëri nga ta ka qenë i dyshuar për një tentim vrasje. Personat në fjalë janë U.M dhe Y.M.”, tha prokurorja Sahide Gashi për KALLXO.com.

Dy të dyshuarve me urdhër të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, shtoi prokurorja e rastit.

Sot pasdite, në një incident në qendër të Istogut, është vrarë zyrtar i Policisë, Izet Demaj si dhe grabitësi i dyshuar, Kamber Metaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur Policia ishte informuar për një tentim grabitje në filialin e bankës NLB.

Porsa kanë shkuar në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me plumbat e të dyshuarit, për të cilin besohej se kishte marrë peng dy persona në bankë.

Gjatë përleshjes ishte qëlluar polici Izet Demaj e më pas edhe i dyshuari.

Policin e plagosur e kishin nisur drejt Spitalit të Pejës, ku kishte arritur pa shenja jete.

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës jep detaje të incidentit të sotëm në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe një grabitës i dyshuar.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:30, kur një person i armatosur kishte hyrë në filialin e NLB Bankës.

Me të marrë informacionin zyrtarët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një person të armatosur, për të cilin dyshohej se i kishte marrë peng 2 persona.

Gjatë përleshjes me armë zjarri, i dyshuari K.M. kishte qëlluar policin Izet Demaj, i cili pas plagëve ishte nisur për në Spitalin e Pejës, ku kishte mbërritur pa shenja jete.

Ndërsa, edhe grabitësi i dyshuar ishte qëlluar nga policët, me ç’rast kishte mbetur i vdekur në vend.

Sipas Policisë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari.

Këto janë detajet e ofruara nga Policia saktësisht katër orë pas ngjarjes.

“Sot 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë peng dy persona”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia sqaron se personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Sipas këtij njoftimi, polici Izet Demaj ishte plagosur rëndë dhe kishte kërkuar ndihmë në Spitalin rajonal të Pejës.

“Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Pejës. Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I.D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia sqaron se  të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës”, thuhet në njoftim.


- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident me tetë të lënduar në fshatin Sojevë të Ferizajt, përfshihen dy automjete

Një aksident trafiku me të lënduar ka ndodhur sot, më 23 tetor 2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img