24,10,2025

Meta në Malin e Zi: Të zgjidhen kërkesat e pakicës shqiptare

Must Read

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë, Paulin Sterkaj, u prit sot në Podgoricë nga Presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajovic.

Dy kryeparlamentarët Meta e Pajovic vlerësuan cilësinë e shkëlqyer të shkëmbimeve e marrëdhënieve politike e ndërparlamentare mes dy vendeve dhe ndanë bindjen se në kuadër të proceseve integruese euro-atlantike, dy parlamentet duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin e tyre edhe më tej.

Pajovic shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e tij në Tiranë në seancën parlamentare të ratifikimit të protokollit të aderimit të Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut Verior nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 qershor, ndërkohë që Meta vlerësoi instalimin e sistemit të përkthimit simultan të gjuhëve shqipe e malazeze në Parlamentin e Malit të Zi si një shenjë e qartë e vëmendjes që autoritetet malazeze tregojnë ndaj pakicës nacionale autentike shqiptare në vendin fqinj.

Duke evidentuar rolin vendimtar të shqiptarëve në momente kyçe shtetformuese e integruese euro-atlantike për Malin e Zi, Kryetari i Kuvendit Meta solli në vëmendje nevojën për gjetjen e zgjidhjeve konkrete të disa kërkesave të pakicës shqiptare të Malit të Zi që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në Tuz, me shfrytëzimin e resurseve natyrore për nevojat buxhetore të komunave lokale apo me ligjin e të mirave detare për Ulqinin si dhe të çështjeve që lidhen me përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe.

Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare që forcojnë më tej demokracinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i ndjeshëm për sa i përket të drejtave e kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri. Në këtë kuadër, z. Meta shprehu angazhimin e tij për të mirëpritur në Kuvend një përfaqësi të kësaj pakice me vullnetin e sinqertë për t’iu përgjigjur objektivisht kërkesave e nevojave të tyre, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.

Meta e Pajovic vlerësuan gjithashtu edhe pasuritë e përbashkëta natyrore dhe theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta ndërkufitare në mbrojtje të mjedisit dhe në mbështetje të zhvillimit të paketave eko-turistike të përbashkëta.

Pas takimit, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Malit të Zi ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident me tetë të lënduar në fshatin Sojevë të Ferizajt, përfshihen dy automjete

Një aksident trafiku me të lënduar ka ndodhur sot, më 23 tetor 2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img