02,05,2024

Klasët e dhjeta të stërmbushura me nxënës

Must Read

Klasët e dhjeta të stërmbushura me nxënës

Derisa në gjimnazin ‘’Dr.Shaban Hashani” me konkurs janë regjistruar 32 nxënës në një klasë, në po të njejtën paralele janë shtuar edhe rreth 30 të tjerë pa konkurs. Ky realitet më së shumti po i shqetëson vetë nxënësit. Ata ankohen se nuk kanë as banka e karrige për t’u ulur, ndërkaq numri deri në 60 i nxënësve me një klasë, po e pamundëson zhvillimin normal të orës mësimore.

“Në fillim kur kam ardhë në shkollë, klasa ime i ka pasur 32 nxënës, por javën që shkoi në klasë kanë ardhë edhe disa të tjerë, kështu që tani jemi bërë 56 nxënës. Është shumë vështirë besoni, sepse disa nxënës detyrohen të qëndrojnë në këmbë apo të ulemi nga katër veta në një bankë”, tha Mira Topalli.

‘’Unë jam në paralen 10/6, në klasën tonë jemi mbi 53 nxënës tani për tani, para dy-tri dite kanë ardhë edhe 11 të tjerë. Boll shumë jena ba”, tha një tjetër nxënëse.

‘’Edhe ne jemi mbi 50 nxënës, rritja e numrit ka ndodhë para një jave sepse në fillim kemi qenë vetëm 30. Orën mësimore po e mbajmë shumë vështirë, sepse nuk kemi as karrige dhe ora s’po mbahet e qetë. Nxënësit po tregojne se në shkollën tonë janë pranuar me të njofshëm, secili e ka dikënd që i punon në komunë”, tha Bujare Grajqevci.

Madje një nxënëse nuk hezitoi të tregoj që në gjimnaz të gjuhëve u regjistrua pas konkursit.

“Jo unë kam ardhë tani pas konkursit, sepse në fillim i kam pas disa punë me i kry edhe s’kam mundur të regjistrohem me kohë, kështu që kemi shku me babin dikun edhe krytëm punë, por më fal s’mundem me kallxu qysh e tek”, tha Antika Hetemi.
Ata të cilët po ballafaqohen me këtë numër kaq të madh të nxënësve janë edhe mësimdhënësit. Njëri nga ata që sot ishte detyruar ta hap derën e klasës, gjatë orës mësimore, për shkak të ajrit të zënë është Agim Tmava. Ai thotë hapur se këtu dikush ka gisht.

“Mos me hap derën këtu të zihet fryma, s’di çka u bë kështu me një klasë nga 56 nxënës e më shumë. Ne po e kemi shumë të vështirë ta mbajmë orën. Me gjimnazin tonë tradicionalisht po ndodhë njejtë, dikush këtu ka gisht, a po i çon komuna a dikush tjetër s’di, veç shumë keq. Të gjithë mësimdhënësit janë duke u ankuar”, tha Tmava.

Televizoni Tema kërkoi përgjigje nga drejtori i shkollës për këtë gjendje të krijuar, mirëpo punëtorët teknik thanë se ai ndodhet në Shqipëri me maturantë, ndërkaq në shkollë nuk ishte as zëvendësdrejtori e askush tjetër nga përgjëgjësit. Në telefon nuk është përgjigjur as drejtori i arsimit Muhamet Halili, i cili sipas komunarëve aktualisht ndodhet në pushim.

Për këtë situatë në gjimnazin ‘’Dr.Shaban Hashani’’ nga komuna foli Balton Dërguti. Ai tha se kjo po ndodhë për arsye se shumë nxënës kanë mbetur jashtë bankave shkollore.

“Pas pranimit të nxënësve në testin e rregullt që ka qenë kanë mbetur edhe një numër i madh i nxënësve që nuk kanë mundur të regjistrohen në shkollat që ata kanë preferuar dhe krejt çka është duke u bërë për momentin, duke pas parasysh edhe mirëkuptimin ndaj nxënësve dhe prindërve, është duke u bërë seleksionimi i tyre në bazë të suksesit që kanë pasur. Disa me sukes të shkëlqyshëm po shkojnë në gjimnaz, disa të tjerë nëpër shkolla tjera, varet se çfarë nota kanë pasur. Këtu s’ka të bëj asgjë me të njofshëm, por duhet të merret parasysh shqetësimi i prindërve derisa fëmija i tyre ka pasur sukses shumë të mirë në shkollën fillore”, tha Dërguti.

Gjendje hiç më e mirë në këtë aspekt nuk paraqitet as në shkollat tjera të Ferizajt, përveç në atë të bujqësisë dhe të teknikës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img