23,10,2025

I’u dha lamtumira e fundit, veprimtares së jashtëzakonshme të çështjes kombëtare e mësueses së dalluar, Nazire Kraja

Must Read

Salla e Teatrit “Adriana” në Ferizaj ishte mbështjellë me zi. Qindra qytetarë, të prirë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zëvendësministra, përfaqësues e drejtues të institucioneve politike e shoqërore, drejtues të Shoqatës të të Burgosurve Politik të Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare e familjarë të tyre nga të gjitha trojet etnike shqiptare, sot në hollin e Teatrit, i dhanë lamtumirën e fundit, ngushëlluan familjarët e vendosën buqeta lulesh në arkivolin e veprimtares e mësueses së dalluar, Nazire Zogaj e cila dje mbylli sytë përgjithmonë.

Të pikëlluar thellë, pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative që u mbajt pas homazheve, përkujtuan veprimtaren e mësuesen Kraja si një heroinë, që asgjë nuk arriti t’ia mund dashurinë për atdheun, për lirinë, madje as vuajtjet e sakrificat e gjata në burgje e torturat e armikut.

Në fjalën e tij në këtë mbledhje komemorative, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se humbëm, një grua, një familjare, një veprimtare, një sypatrembur e edukonjëse të brezave, humbëm e po i japim lamtumirën e fundit, ikonës së mospërkuljes, mësueses së brezave, zonjën që në çdo shkronjë të kësaj fjale merr kuptim, Nazire Kraja.

“Sot, kur nga retë qielli është pak i dukshëm, spikat zëri i saj trimëror. Kockat që i’a dha pa kusur për dekada kësaj toke e njerëzve të saj, për pak do t’i dorëzohen përgjithmonë asaj që ajo aq shumë e deshi, tokës stërgjyshore, Krajës mahnitëse skaj bukurive të pasosura që kush më tepër se shpirti i saj i meriton. Janë kohët dëshmitare, një emër mes njerëzve, që panë e i’u përkulën përpjekjes fisnike e të palëkundur të një zonje që kishte ndarë fatin e saj me lirinë e popullit, me gjakun që asnjëherë nuk humb në luftë kundër robërisë, me dijen e atdhedashurinë e paskaj që i brumosi brezat. Burgjet ishin grila. E grilat nuk trembnin syrin e zemrën e çeliktë të mësueses Nazire. As Mitrovica, as Nishi, Podgorica, Beogradi e Spuzhi ku armiku ngriti kështjellat e robërisë, shtretërit e gjakosura të fundjetës së mijëra shqiptarëve, nuk përkulën shtatin e saj, nuk dobësuan zemrën e saj, nuk zmbrapsën forcën e saj. Ajo ishte atje, krenare e shpresëplotë, se një ditë do të frynte era e lirisë, në pragun zor të kapërcyeshëm pa gjak e sakrificë, të robërisë. Krajës i’u këput krahu i shqiponjës që zotëronte sa andej-këndej, ajrin e freskët të lirisë në trojet e të parëve. Ferizaj humbi personifikimin e rrallë të sakrificës, vuajtjes e papërkuljes, që pa më të voglin dyshim, do ta kujtojnë sa të jetë jeta, brezat. Mbahuni të fortë për besën e forcën e mësueses Nazire. Ajo ishte shkëmbi i pathyeshëm kur e zeza kaploi çdo shqiptarë. Ajo dha provën se njeriu ka zemër çeliku kur dashuria për atdhe ka lëshuar rrënjë.Lamtumirë mësuese Nazire! Prehu në paqen e pafundme!” tha mes tjerash Kryetari Aliu.

Me një fjalë rasti, qindra të pranishmëve në sallë në këtë mbledhje komemorative i’u drejtua edhe kryetari i Shoqatës të të Burgosurve Politik të Kosovës, Hydajet Hyseni. Ai e kujtoi të ndjerën si një bijë sypatrembur të Krajës kreshnike, e çeliktë në dashurinë e saj për atdheun dhe e papërkulur ndaj kthetrave të robërisë sllave. Ai evokoi kujtime e rrëfime nga periudhat e burgut të të ndjerës si dhe veprimtarinë e përbashkët e rolin që kishte në demonstrimet popullore kundër robërisë serbe.

Vlerësimet më të larta për personalitetin e të ndjerës, guximin, dijen e atdhedashurinë e saj dha edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit veprimtari e ish i burgosur politik, Elmi Reçica. Ai tha se Nazire Kraja ka qenë një nga veprimtaret më të dëshmuara, më atdhetaret dhe më të sinqerta.

“Ka qenë ajo që tërë jetën e saj nuk është ndalë, nuk ka rresht së punuari për kombin dhe vendin. Vërtet është një moment shumë pikëllues dhe tejet i dhimbshëm, ndarja nga jeta e atdhetares së shquar të çështjes kombëtare, të burgosurës politike, mësueses së shquar, bashkëveprimtares, Nazire Kraja. Atdhetarja e jashtëzakonshme, Nazire Kraja gjithë jetën e saj u angazhua për çështjen kombëtare shqiptare, duke i shërbyer atdheut me besnikëri e duke punuar me vetmohim për të realizuar interesat kombëtare. Ajo si pedagoge e dalluar e arsimit, ndër vite edukoi breza të tërë shkollarësh në frymën e atdhedashurisë, duke rrezatuar dashuri ndaj atdheut, ngritjen e vetëdijes kombëtare, dije dhe kulturë” tha mes tjerash deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, i cili elaboroi gjerësisht veprimtarinë e së ndjerës, vitet në arsim e vuajtjet e sakrificat e saja në burgje.

Të pranishmit dëgjuan edhe rrëfimin e veprimtares e mikes Hanumshahe Ilazi, për siç e quajti ajo, motrën e saj, tashmë të ndjerën, Nazire Kraja. Ajo me emocione kujtoi vullnetin e fortë të së ndjerës, rrëfimet për periudhat kohore të kaluara bashkë e guximin e vendosmërinë që spikati përherë të ndjerën.

Fatbardha, e bija e së ndjerës, duke falënderuar qindra pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative, organizatorët që ju gjenden pranë familjes, shpalosi një moment të veçantë e tejet emocional me të ëmën, atë të lënies së një fotografie nga ajo, me emrat e tri vajzave të saj, e dedikimin prekës, kur ajo të mos jetë më.

Me lot, pikëllim pafund, e qindra ngushëllime që u thanë e u shkruan në librin e zisë për të ndjerën, u mbyll mbledhja komemorative me njoftimin se e ndjera do të varroset nesër (16.12.2019) në Krajë, Mali i Zi, kurse nisja e organizuar me autobusë nga Ferizaj bëhet po nesër, nga ora 7:30-8:00 nga parkingu i “Viva Fresh Store”, përballë Stacionit Policor në Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident me tetë të lënduar në fshatin Sojevë të Ferizajt, përfshihen dy automjete

Një aksident trafiku me të lënduar ka ndodhur sot, më 23 tetor 2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img