25,10,2025

Edicioni i pestë i Kolonisë Letrare “Muzat e Jezercit”

Must Read

Në fshatin malor të Ferizajt, në Jezerc, prej 22 deri më 24 korrik, krijues nga të gjitha trevat shqiptare u bashkuan në edicionin e pestë të Kolonisë letrare “Muzat e Jezercit”, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ashtu si vitet e tjera, edhe kësaj radhe në kuadër të kolonisë u zhvilluan disa aktivitete si: prezantimi i botimeve të klubit “De Rada” gjatë periudhës 2020-2021, tryeza me temën Kritika letrare shqipe sot – ndikimi në krijimtarinë letrare, diskutime dhe debate rreth letërsisë, orë letrare etj.


Risi për këtë edicion ishte kursi i poezisë udhëhequr nga poeti i njohur Xhevdet Bajraj, ligjërues në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në Meksico Siti. Edhe pse në fokus të këtij aktiviteti ishin krijuesit e rinj, kursi u ndoq me interesim nga të gjithë pjesëmarrësit. Në fjalën hyrëse, poeti Bajraj tha se: “Poezia, por edhe arti në përgjithësi ofron mundësinë e zgjimit shpirtëror te njeriu. Prandaj një artist është një luftëtar i dritës dhe me misionin e tij ndriçon qoftë individin, kombin apo tërë njerëzimin.” Më tutje Bajraj u përqendrua te teknikat e krijimit të poezisë, kontrolli i emocionit, figurat stilistike, imazhin poetik, rëndësinë e përzgjedhjes së fjalëve, origjinaliteti në krijimtari etj.

Kontribut të rëndësishëm në këtë aktivitet ofruan edhe pjesëmarrësit e tjerë si Halil Matoshi, Olimbi Velaj, Rozafa Shpuza, Agron Shala, Ahmet Selmani etj. Në diskutimin rreth kritikës letrare shqipe sot, u theksua mungesa e kritikës së mirëfilltë. Gjithashtu, u përmend fakti se shumica e shkrimeve kritike sot, jo vetëm që nuk shërbejnë si urë lidhëse mes librit dhe lexuesit, por të shpeshherë ato e thellojnë edhe më tepër distancën mes tyre.

Nga botimet e Klubit letrar “De Rada” u prezantuan dy antologji (Katërmbëdhjetë autorë, Ku janë ëndrrat – Hajro Ulqinaku), dy vëllime me poezi (Mos vdis nga errësira – Abdyl Hajredini dhe Eja në ëndërr – Drita Popaj) dy romane (Hija – Lorika Abazi dhe Grandpa’s carbine – Gazmend Bytyçi) dhe një përmbledhje me shkrime kritike (Kritika dhe ese – Zyrafete Shala).

Meqë Kolonia letrare “Muzat e Jezercit” i përmbylli pesë edicione të suksesshme të saj, së shpejti do të botohet edhe një përmbledhje me krijimet e autorëve pjesëmarrës në këtë aktivitet nga vitit 2017 deri më 2021.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident me tetë të lënduar në fshatin Sojevë të Ferizajt, përfshihen dy automjete

Një aksident trafiku me të lënduar ka ndodhur sot, më 23 tetor 2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img