Në një komunikatë për media AVONET ka ngritur shqetësimin për mbeturinat në “Parkun e Lirisë”. Në komunikatën e AVONET-it kërkohet që të merret masa edhe nga kryetari i komunës për një ambient më të pastër. Por bazuar në foto, shihet se këtu do të kishte nevojë më shumë për një thirrje të shprehjes së kulturës më shumë tek vizitorët pasi nga fotot shihet se shumica e shportave të mbeturinave janë të zbraztë ndërsa rreth tyre ka kudo mbeturina.
Reagimin e Rrjetit të OJQ-ve AVONET të plotë mund ta lexoni në vazhdim.
“Rrjeti i OJQ-ve AVONET, gjatë monitorimit në hapësirat gjelbëruese ka identifikuar se në Parkun Liria në Komunën e Ferizajt është pushtuar nga mbeturinat, në çdo pjesë të hapësirave has në mbeturina dhe si pasojë e kësaj shportat janë të stërmbushura me mbeturina. AVONET konsideron se Kompania “Pastërtia” nuk është duke menaxhuar mirë dhe njëherit neglizhenca e Komunës së Ferizajt karshi gjendjes së Parkut Liria sjell këtë gjendje.
AVONET, në vazhdimësi është duke reaguar për mos menaxhim të mirë të Kompanisë “Pastërtia” një gjendje e tillë krijon imazh të keq, e po ashtu paraqet edhe një ambient jo të rehatshëm për vizitorët.
Kërkojmë nga kryetari i Komunës së Ferizajt z. Sfarqa që të marrë masa ndaj kompanisë “Pastërtia” për mos përgjegjësi dhe nga Kompania “Pastërtia” kërkojmë që në Parkun Liria të jenë së paku dy punëtor mirëmbajtës.
Në anën tjetër zëdhënësi i KRM “Pastërtia” Arbër Ibrahimi tha se kompania ka një kujdes të veçantë ndaj “ Parkut të Lirisë” por megjithatë shpesh po ndodhë që nga pakujdesia e qytetarëve të cilët frekuentojnë këtë pjesë po krijohet një ambient jo i mirë.Kjo për faktin se edhe pse janë shportat, mbeturinat hedhen kudo. Do të ishte mirë që AVONET ,si shoqëri civile të ndihmojë në sensibilizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit që është i përbashkët.”