Masa për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nëpër sheshe ka nisur të zbatohet sot edhe në sheshin e qytetit të Ferizajt.
Nga ish-objekti i Gjykatës Themelore deri tek kisha dhe xhamia, Policia e Kosovës ka vendosur shirita me qëllim që qytetarët mos të frekuentojnë sheshin, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt Agim Gashi, tha se shiritat janë vendosur me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, kurse qytetarët mund të lëvizin skaj tyre për raste pune.
“Referuar rekomandimeve të institucioneve shtetërore lidhur me pandeminë Covid-19 edhe Policia është duke i zbatuar vendimet e qeverisë dhe ka rrethekuar me shirita të sigurisë pjesët e sheshit dhe vetëm 2 metra janë të lejuar për qarkullimin e qytetarëve. Kjo bëhet për mos t’i i lënë qytetarët të bëhen në grupe, krejt kjo me qëllim që të tejkalojmë këtë situatë në të cilën gjendemi”,tha Gashi.
Gashi tha se Policia e Kosovës në vazhdimësi është në terren duke bërë kontrolle nëse janë duke u zbatuar masat që janë vendosur.
“Njësitet policore nonstop janë në terren duke kontrolluar, qëllimi është mos të lihen qytetarët të qëndrojnë në grupe, prandaj edhe i lusim qytetarët që të respektojnë këto vendime të qeverisë të bashkëpunojnë me Policinë dhe mos të qëndrojnë grumbull dhe ta mbajnë distancën sociale”,tha Gashi.
Nga data 08 shkurt e deri më tani në Kosovë janë testuar gjithsej 1.964 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 145 raste, me 3 raste të vdekjes.
Në komunën e Ferizajt për momentin nuk është raportuar për asnjë qytetarë i cili është prekur me Covid-19, përveç rastit të pacientit nga fshati Bibaj i cili nga aeroporti është futur në karantinë, transmeton Televizioni Tema.