Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit të respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së në mënyrë që të ruajnë shëndetin e njëri-tjetrit dhe të mos detyrohen të ndërmarrin masa tejet rigoroze që nuk janë parë deri tani.
Ramadani tha se statistikat aktuale ku pati rritje të rasteve me koronavirus janë në kuadër të projeksioneve të plota të IKSHPK-së, që sipas tij, ka paralajmëruar se nëse me lehtësimin e masave dhe hapjen e ekonomisë nuk respektohen rekomandimet, atëherë do të ketë rritje të numrit të të infektuarve.
Ai tha se rritja e numrit të rasteve është për shkak të festës së Bajramit, hapjes së plotë të ekonomisë e mosrespektimit të masave parandaluese, dalja e qytetarëve në kafene, ndërsa theksoi se gastronomia nuk po u përmbahet rekomandimeve për të cilat ka premtuar se do t’i respektojë.
“Kryetari i Prishtinës me vend ka mbyllur tri çerdhet…”, tha Ramadani, duke shtuar se do të mbyllen të gjitha nuk u përmbahen rekomandimeve.
Ai paralajmëroi se nëse brenda katër-pesë dite nuk ka përmirësim të situatës dhe nuk fillohet të respektohen rekomandimet atëherë IKSHPK-ja do të detyrohet të merr masa tehet rigoroze, që nuk janë parë deri më tani.
“Vendosini maskat, mbajeni higjienën dhe distancën dhe nëse respektohen këto atëherë nuk dot ketë valë tjera të infektimit me coronavirus…”, tha drejtori i IKSHPK-së.
Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se janë testuar gjithsej 296 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 40 raste.
Sipas institutit, nga 08 shkurt deri më 07 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 16.674 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.234 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. /RTV Dukagjini