Në Gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të pandehurve E.M. dhe E.N.
E.M. akuzohet nga pProkuroria për veprën penale – grabitja në vazhdim, ndërsa E.N. akuzohet për ndihmë në grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Para kryetarit të trupit gjykues Mustaf Tahiri dhe pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Veton Shabani, të akuzuarve iu dha mundësia të deklarohen për fajësinë.
E.M., 19 vjeçar nga Ferizaj, e pranoi fajësinë për veprën penale dhe shtoi se është i penduar.
“Jam i penduar për këtë vepër, nuk e kam ditur pasojën e kësaj vepre. E kam dëmtuar veten, familjen time dhe personat e tjerë, por krejt kjo ka ardhur sepse kam qenë në gjendje të rëndë shpirtërore dhe ekonomike, kam pasur borxhe, i kërkoj falje publike të dëmtuarve dhe i shtyrë nga këto motive kam kryer këtë vepër”, tha i akuzuari.
E ndërsa avokati i tij Burhan Qosa kërkoi nga Gjykata ta marrë parasysh gjendjen e të pandehurit dhe e luti Gjykatën të jetë “e mëshirshme” ndaj këtij të pandehuri.
Ndërsa E.N., po ashtu 19 vjeçar nga Ferizaj, e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, por pjesërisht pranoi ta ketë ndihmuar E.M.-në në kryerjen e veprës përmes dhënies se armës.
“Unë ia kam dhënë armën, por nuk e kam ditur se ai do të kryejë grabitje. Ia kam dhënë se më ka thënë se i ka disa probleme dhe se dëshiron vetëm të gjuajë me të”, tha i akuzuari.
E kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri ia pranoi pranimin e fajësisë të akuzuarit E.M., ndërsa të akuzuarit E.N. ia pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje e jo për ndihmë në grabitje pasi që sipas ligjit nuk mund të ketë pranim të pjesshëm të fajësisë.
Gjithashtu me propozim të prokurorit të shtetit, Veton Shabani, u veçua procedura ndaj E.N., pasi që i akuzuari i parë E.M., e ka pranuar fajësinë, ndërsa E.N. e ka pranuar vetëm për një pikë të akuzës.
Të pandehurin E.M. Gjykata e gjeti fajtor dhe e dënoi me 3 vite e 2 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.
Tutje gjyqtari Mustaf Tahiri tregoi se si rrethana lehtësuese mori moshën e re të kryesit, se është hera e parë që ka kryer veprën penale, se e ka pranuar fajësinë, dhe ka premtuar se nuk do të kryejë vepër penale.
E si rrethana rënduese Gjykata mori peshën e veprës penale dhe rrethanat në të cilat është kryer kjo vepër.
Ndërsa E.N. do të gjykohet në një procedurë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, E.M., më 18 dhjetor 2019, rreth orës 01:30, në rrugën ‘’Brahim Ademi’’ në Ferizaj , përkatësisht në pompën e derivateve ‘’EX-FIS’’, i pandehuri e ka kanosur seriozisht për ta sulmuar me armë të dëmtuarin Samet Emini, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, i maskuar dhe nën kërcënim të përdorimit të armës, troket me armë në xhamin e lokalit, dhe duke ia drejtuar armën e detyron të dëmtuarin ta hapë derën e lokalit dhe t’i vendosë të gjitha të hollat në dysheme e më pas kërkon t’i vërë duart mbrapa kokës dhe të largohet mbrapa disa hapa.
Me ç’rast merr shumën e të hollave prej 1,505 euro dhe largohet në drejtim të panjohur.
Tutje sipas aktakuzës më 25 dhjetor 2019, rreth orës 2:10, në rrugën ‘’Brahim Ademi’’ në Ferizaj, përkatësisht në pompën e derivateve ‘’EX-FIS’’ i pandehuri e ka kanosur seriozisht për ta sulmuar me armë të dëmtuarin Rinor Sylejmanin me qëllim që vetës t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme. I maskuar dhe nën kërcënim të përdorimit të armës, i pandehuri troket me armë në xhamin e lokalit dhe duke ia drejtuar armën e detyron të dëmtuarin ta hapë derën e lokalit dhe t’i vendosë të gjitha të hollat në dysheme e më pas kërkon t’i vërë duart mbrapa kokës dhe të largohet mbrapa disa hapa.
Me ç’rast merr shumën e të hollave prej 330 euro dhe largohet në drejtim të panjohur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 31 dhjetor 2019, rreth orës 2:30 në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, përkatësisht në pompën e derivateve “EX-FIS” me përdorim të armës dhe me qëllim të përfitimit të pasurisë së luajtshme tenton të hyjë brenda lokalit të pompës së derivateve, duke tentuar me forcë ta hapë derën por nuk arrin, ndërsa i dëmtuari Rinor Sylejmani ishte fshehur në një dhomë të kamerave të sigurisë me ç’rast i pandehuri nuk e vëren dhe largohet nga aty.
Me çka sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale grabitje në vazhdim.
Ndërsa për të pandehurin E.N. më 16 dhjetor 2019, në Ferizaj, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, ka ndihmuar të pandehurin e parë duke iu vënë në dispozicion armën e markës “Ekol ALP 2” nga data 16.12.2019 deri më 31.12.2019, me të cilën i pandehuri i parë kryen grabitje në pompën e derivateve “EX-FIS”, duke marrë shumën e përgjithshme të të hollave prej 1,835 euro, ku i pandehuri i dytë përfiton shumën prej 130 euro dhe një palë rroba në vlerë 150 euro.
Me çka ka kryer veprën penale ndihma në grabitje.
Gjithashtu sipas Prokurorisë, të pandehurit E.N. më 5 janar 2020, në Ferizaj, nga Sektori Rajonal i Hetimeve në rastin e kontrollit i është gjetur arma “Ekol ALP2” me 1 karikator dhe 12 fishekë, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa autorizim dhe janë sekuestruar nga ana e Policisë.
Me çka kreu veprën penale posedim i paautorizuar i armës./Kallxo.com