Lëvizje Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se të hënën do të arrihet marrëveshja e koalicionit qeverisës me LDK-në.
Ky subjekt politik mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit dhe do të ketë 29 deputetë, plus një nga IRDK-ja, transmeton Koha.net.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të VV-së pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve:
U bë certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin fitues, subjektin e parë, me 221.001 vota, dhe, grupin më të madh parlamentar në Kuvend në legjislaturën e shtatë.
Falënderojmë të gjithë votuesit për besimin te ne, shprehur në 6 tetor. Mirënjohje edhe për komisionerët e vëzhguesit e angazhuar në këtë proces zgjedhjesh, numërimesh e rinumërimesh që zgjati kaq shumë, po ashtu edhe për aktivistët e vullnetarët që ndihmuan gjatë gjithë fushatës e më pas.
Grupi ynë parlamentar do të jetë më i madhi, me 30 deputetë. 29 prej tyre vijnë nga lista e Lëvizjes, 1 nga IRDK që na u bashkua rishtas.
Në grupin tonë parlamentar do të jenë 10 deputete, të cilat e kanë fituar që të gjitha mandatin e tyre pa ndihmën e kuotave gjinore, dhe kjo është hera e parë që ndodh kësisoj me një grup parlamentar në Kosovë.
Këto zgjedhje janë karakterizuar nga gara e kandidatëve për kryeministra, si kurrë më parë. Këtë garë e ka fituar Albin Kurti. Madje për herë të dytë. Në vitin 2017 Albin Kurti ka marrë 143.621 vota, ndërsa kësaj radhe është votuar nga 183.952 persona, duke u bërë përfaqësuesi politik më i votuar në Kosovë qysh prej kur ka filluar aplikimi i sistemit zgjedhor me lista të hapura.
Qeveria e ardhshme e LVV dhe e LDK tashmë e ka shumicën e nevojshme në parlamentin e Kosovës. Mëngjesi i të hënës duhet të na gjejë me marrëveshje të koalicionit qeverisës.
Populli i Kosovës po pret që t’ia nisim punës.