26,11,2024

Vetëvendosje i reagon PDK’së që tha se ia rrahën aktivistin në Ferizaj

Must Read

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi PDK’ja në Ferizaj tha se aktivistë të Vetëvendosjes e kanë rrahur një aktivist të saj. LVV, përmes një komunikate, thotë se nuk e kanë sulmuar askënd dhe se ato të PDK’së janë akuza të rrejshme.


Anëtari i PDK’së, Jakup Sabedini, ka thënë se është sulmuar fizikisht, e PDK në Ferizaj për këtë rrahje e ka akuzuar LVV’në.

Partia e Albin Kurtit shpreh keqardhje ndaj asaj që i ka ndodhur Sabedinit dhe kërkon nga organet e drejtësisë të zbardhet rasti.

Mirëpo LVV përmend se ky rast ka ndodhur para tre ditëve, ndërsa reagimin e vonshëm të PDK’së e sheh si tentativë pëe të nxitur opinionin  publik.

Komunikata e plotë:

LVV nuk ka sulmuar askënd, këto janë akuza të rrejshme

Lidhur me sulmin ndaj anëtarit të PDK-së Jakup Sabedini, ne si Qendër e Lëvizjes në Ferizaj, kemi mësuar vetëm përmes mediave. Pasi u interesuam, duke pyetur aktivistët tanë që drejtojnë në pikat tona në lagje e fshatra, ne mund të themi me siguri se nuk ka asnjë përfshirje aktivistësh në këtë ngjarje.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj shpreh keqardhjen për sulmin ndaj Jakup Sabedinit dhe urojmë që ai të bëhet mirë sa më shpejt. Po ashtu, presim nga organet e rendit që të gjejnë cilët kanë qenë sulmuesit e t’i vënë përballë përgjegjësisë ligjore.

Fakti se thuhet që ngjarja ka ndodhur para tre ditësh, e reagimi i PDK me akuza të pabazuara vjen vetëm sot, tregon se dikush po interesohet të nxisë opinionin publik, përmes shpifjeve e lajmeve të pavërteta.

Aktivistët e Lëvizjes nuk janë të përfshirë, prandaj kryesit e vërtetë duhet të kërkohen diku tjetër.

Dhuna është e dënueshme por dhe shfrytëzimi i emrit të Lëvizjes për shpifje e akuza të rrejshme si kjo është i padrejtë, ndonëse e kuptojmë që PDK-ja në këtë kohë nuk ka temë tjetër, e vetëm lajmet e pavërteta i shohin si mundësi për të kthyer vëmendjen.

Kërcënimet, dhuna, inskenimet e situatave kanë qenë formë e veprimit të pushtetit të mëparshëm, që fatkeqësisht në qytetin e Ferizajit po vazhdon.

Shpresojmë që rasti të shqyrtohet nga organet përkatëse e përgjegjësit të dënohen.


- Advertisement -spot_img
Të fundit

30 gra udhëheqëse të agrobizneseve përfitojnë 300 mijë euro grante

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami mori pjesë sot në tryezën tematike "Mundësitë e grave në sektorin bujqësor,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img