Sipas Presidentit Thaçi, ai dhe administrata e tij, janë në kontakt dhe në marrëdhënie me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të drejtohet nga Presidenti i ri i sapozgjedhur, Donald Trump, raporton Mapo.
“Nuk është më sekret që të deklaroj se kemi vendosur kontakte direkte me administratën e re të Presidentit Donald Trump dhe se kemi marrë siguri se, bashkëpunimi special mes SHBA-ve dhe Kosovës do të vijojnë në traditën e deritanishme, të një bashkëpunimi special”, ka deklaruar gjatë fjalës në Forumin Liberal të UET-së, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
I pyetur nga auditori i UET-it, për një mandat tjetër si President në krye të Presidencës së Kosovës, Thaçi ka deklaruar se do ta pranojë atë mandat vetëm nëse zgjedhja e presidentit të Kosovës do të bëhet nga populli.
“Do ta pranoja një mandat të ri në krye të Presidencës së Kosovës, vetëm nëse kjo zgjedhje rregullohet dhe presidenti i ardhshëm zgjidhet direkt nga votat e popullit kosovar”, ka thënë Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.
Integrimet në BE
Kosova ka prioritet integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreh zhgënjimin për procedurat e zgjatuara nga ana e Brukselit në këtë rrugë, siç ishte dhe zgjatja e afatit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një leksioni të hapur të mbajtur në Universitetin Europian të Tiranës i ftuar në “Forumet UET”, ku shprehu hapur këtë zhgënjim dhe pse theksoi se Europa është e vetmja rrugë dhe është rruga e duhur e Kosovës.
“Kjo është një tango në të cilën të dy duhet të vallëzojnë, për fat të keq BE jo gjithmonë pranon të vallëzojë me ne, duke gjetur arsye të ndryshme. Ne duam të bëjmë të qartë se çdo vonesë e BE me Kosovën, me Rajonin, me Ballkanin Perëndimor, rrezikon zhgënjimin në BE, por dhe rrezik të na hapë për ndikim nga ideologji dhe politika të tjera radikale ekstremiste dhe nacionaliste”,- tha Thaçi duke folur për sfidat e integrimit të Kosovës.
Më tej ai e ilustroi këtë me rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën. “Kosova ende mbahet e izoluar nga BE. Kjo jo për shkak se nuk i ka plotësuar kushtet por përshkak se nuk ka vullnet dhe unitet politik në BE, prandaj kjo çështje shtyhet në pafundësi, në mënyrë të padrejtë”, vijoi ai.
Dialogu, e vetmja armë e Kosovës në Rajon
Presidenti Thaçi foli mbi dialogun me Serbinë, marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe për zgjedhjet në Maqedoni, ku theksoi se është me rëndësi bashkimi i faktorit shqiptar. Presidenti Thaçi bëri të ditur se ka vendosur kontaktet me stafin e ri të Presidentit amerikan të zgjedhur Donald Trump dhe se ka marrë garanci prej tij se do të vijojë mbështetja amerikane ndaj Kosovës.
Marrëdhëniet në Rajon shteti më i ri i Ballkanit po i ndërton mbi mbazën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Kjo është bindja e presidentit Thaçi, i cili vlerëson se duhet tejkaluar e shkuara e hidhur e konflikteve dhe të ndërtohen urat e miqësisë.
“Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie, shembull i dialogut dhe pajtimit, tolerancës dhe bashkëjetesës; shembull se si të gjenden fuqia që të kalohet e kaluara e hidhur me luftëra dhe dhimbje dhe të ndërtohet e ardhmja e paqes, prosperitetit, zhvillimit”,-tha ai./Mapo.al/
.