Kryeministri francez do të shpallë gjendjen e katastrofës natyrore pas përmbytjeve që përfshinë veriperëndimin e Francës, ku dhjetëra familje u detyruan të evakuohen nga banesat e tyre.
Moti i keq ka përfshirë edhe Gjermaninë, teksa të shtunën një prej kampeve më të mëdha të të pastrehëve u evakuua pas parashikimeve për një stuhi dëbore, ndërsa në Berlin temperaturat kanë arritur në minus 8 gradë celsius.
Në Gjermani dhe Holandë stuhia ‘Darsi’ pritet të sjellë erëra të forte dhe reshje dëbore.
Edhe pse nuk dihet numri ekzakt i të evakuarve, autoritetet vendore kanë përgatitur 50 tenda në rast se do të nevojiten për personat e evakuuar.
“Ne kemi mundur të gjejmë strehë për të gjithë personat e evakuuar dhe do të kujdesemi që t’i akomodojmë duke ruajtur masat e pandemisë COVID-19. Të gjithë personat do të kenë mundësi të shpenzojnë fundjavën në ambiente të ngrohta dhe të mbrojtura”, tha Kevin Honicke, kryetar i bashkisë i Berlinit.
Sipas parashikimeve të meteorologëve gjermanë, reshjet e dendura të
dëborës do të vazhdojnë deri të hënën, teksa në veri pritet që niveli i dëborës
të arrijë deri në 40 centimetra. Në Berlin temperaturat priten të ulen deri në
-8 gradë celsius gjatë ditës dhe -12 gradë gjatë natës.
Sipas policisë, numri i personave të plagosur ka arritur në 28 persona, duke
përfshirë dy në gjendje të rëndë, në rrugët e akullta.
Autoritetet kanë njoftuar ndalimin e linjave mes Hamburgut dhe Hanoverit dhe mes Berlinit dhe perëndimit të vendit, për shkak të borës në shina.