19,12,2024

Specialja kërkon të ndryshojë aktakuzën kundër Thaçit dhe të tjerëve: S’ka prova për krimin në Ferizaj

Must Read

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale në Hagë, përmes një kërkese drejtuar gjykatës ka kërkuar leje për të ndryshuar aktakuzën në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshimi i aktakuzës në këtë rast është për të larguar pretendimin për një krim të kryer kundër një viktime në një shtëpi rreth Ferizajt.

Sipas shkresës, ZPS së fundi mori një vendim përfundimtar që të mos mbështetet në dëshmitë e një personi, emri i të cilit është i redaktuar, duke konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e një vrasjeje në Ferizaj.

“Nga vetë natyra e tyre dhe në këtë fazë të procedimit, ndryshimet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarit dhe duhet të aprovohen. Duke vënë në dukje afatin e 30 shtatorit 2022 për ngritjen e një aktakuze të ndryshuar, ZPS-ja kërkon, në interes të efikasitetit, një orar të përshpejtuar të informimit për të mundësuar ngritjen e një aktakuze të ndryshuar që përfshin gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese”, thuhet në këtë shkresë.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /Albanianpost.com

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img