Në takimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me pandeminë nuk është marrë ndonjë vendim për të dërguar nxënësit në pushim, duke mbetur në fuqi vijimi i mësimit.
Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë se mësimi do të vazhdojë normal të hënën pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.
Ai tha se kanë dalë me propozim një plus një që nxënësit të shkojnë në pushim një javor dhe në fund të javës të bëhet vlerësim i trendëve që të vendoset si të shkohet më tutje.
“Konsideroj se masat të tilla duhet të merren si pjesë e një pakoje në nivel nacional për arsye të shumësisë së infektimit. Ne kemi dalë me propozim një plus një dhe t’i ruajmë resurset në arsim”, u shpreh ai.
Rexhaj tha se duhet të merren vendimet përkatëse për gjithë sektorët dhe tha se do ti respektojnë vendimet e komitetit për luftimin e pandemisë.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër propozimeve të Ministrisë së Arsimit për pushim njëjavor dhe mundësisë së fillimit të mësimit online.