Duke qenë në prag të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, Drejtoria e Arsimit në Ferizaj, thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë. Drejtori i kësaj drejtorie Afrim Llabjani, tha se problemet që kanë hasur shkollat kanë pasur të bëjnë kryesisht me ngrohje.
“Ne një kohë kemi pasur pak një telashe derisa është përzgjedhur operatori ekonomik dhe tani më e kemi të përzgjedhur operatorin ekonomik, e kemi në terren. Jemi fokusuar në shkollat të cilat kanë pasur probleme pak më të theksuara dhe problemet të cilat patjetër është dashur të intervenohen, deri më tani ne vetëm kemi intervenuar në ato shkolla, në fakt nga informacionet që kam marrë në mëngjes nga menaxherja e kontratës e cila është këtu nga Drejtoria Komunale e Arsimit, është bërë me dije që operatori tani është edhe në dy shkolla momentalisht duke punuar, sepse kanë pasur një avari pak më të madhe ato shkolla, por po besojmë që deri të hënën ne do të jemi të gatshëm dhe nuk do të kemi asnjë shkollë e cila do të ketë probleme nga natyra e ngrohjes dhe kështu që viti apo gjysmëvjetori i dytë i këtij viti shkollor do të fillojë pa telashe”, tha Afrim Llabjani.
Ndërsa, për kritikat që anëtari i LDK-së Ymri Hashani, i kishte adresuar ndaj pushtetit lokal për problemet e institucioneve shkollore me ngrohje, Llabjani thotë se ato tashmë janë zgjidhur.
“Në shkollën e Muhovcit ne kemi pasur një problem më të madh sepse është dashur të ndërrohet e gjithë kalldaja apo shporeti i ngrohjes, atë e kemi përfunduar para gjysmëvjetorit dhe ka filluar pastaj mësimi, ndërsa në gjimnaz përkundër një telashe që kemi pasur, ka qenë një telashe pak më e veçantë sepse ka pasur problem edhe me ujë, ne e kemi bërë zgjidhjen aty përmes një operatori, në fakt përmes një donatori i cili ka hapur një pus, ka vendosur të gjithë aparaturën e cila e përcjellë ujin për në shkollë, kemi vendosur edhe një ujëmbledhës ashtu siç ka kërkuar drejtoresha e shkollës dhe tani më nuk e kemi atë telashe, domethënë ka pasur telashe jo vetëm sistemi i ngrohjes, por edhe sistemi i ujit sepse uji nuk ka qarkulluar nëpër të gjithë radiatorët, jam në dijeni që ka qenë edhe një telashe e vogël sa u përket disa radiatorëve nëpër disa klasa, por që operatori ekonomik ka intervenuar dhe është në intervenim e sipër kështu që po mendojmë që edhe aty nuk do të kemi telashe dhe do të kemi një fillim të mbarë të këtij gjysmëvjetori të dytë shkollor”, tha Afrim Llabjani.
Sipas kalendarit shkollor për vitin 2019/2020, gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më 13 janar, transmeton Televizioni Tema.