Shkolla e mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj dhe Bau Market , sot nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për nxënësit e shkollës për kryerjen e mësimit praktik më mundësi punësimi.
Disa nga nxënësit më të dalluar do të kenë mundësinë për të zhvilluar punë praktike në profilin e Hortikulturës.
Drejtori i kësaj shkolle tregoi se një bashkëpunim i tillë është shumë profitabil për nxënësit.
“ Sapo kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e mësimit praktik në kuadër të projektit të Mësimit në Vendin e Punës. Është ky një aktivitet në kuadër të mësimit Dual, i cili ka filluar para tre vite në shkollën e Agrobiznesit dhe Teknologjisë. Falënderoi kompaninë Bau Market, e cila na ka ofruar mundësinë që nxënësit tanë të kryejnë mësimin praktik, intershipin po në fund të kësaj edhe mundësi punësimi për nxënësit tanë.” ka thënë Abdullah Imeri, Drejtor i Shkollës së Agrobuiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj.
Menaxheri i kompanisë Bau Market për regjionin e Ferizajt, Gentian Leku tregoi se është hera e parë që po bëjnë një marrëveshje të tillë me një shkollë në komunën e Ferizajt, ndërsa theksoi se do të ofrohen mundësi edhe për shkolla tjera.
“Rëndësia e e marrëveshjes së Shkollës së Agrobiznesit me Bau Marketin ka të bëjë me kryerjen e praktikës nga nxënësit të cilën do ta bëjnë në Bau Market dhe ata nxënës të cilët tregohen të suksesshëm do të mundohemi të jenë edhe pjesë e Bau Marketit. Planifikimi për tu punësuar në këtë kompani varet edhe nga interesimi dhe minimum do të jetë për katër nxënës e pse jo edhe më shumë. Ky është vetëm një fillim dhe besoj që do të vazhdojmë tutje. Ne kemi edhe pjesën e sektorit të elektrikes, nxehjes, ujësjellësit e cila ka të bëjë me profilet e shkollës Teknike” ka thënë Gentian Leku.
Për aktivitetin e shkollës dhe kujdesin e nxënësve për sistemimin e tyre në pjesën praktike në këtë shkollë kujdeset Qendra për Karrierë.
Edhe zyrtarja e kësaj Qendre Nafije Beqa u nda e kënaqur me këtë marrëveshje.
“ Me këtë marrëveshje në këtë kompani presim zhvillim të shkathtësive të nxënësve dhe të arrihet qëllimi i kësaj qendre dhe shkollës që të përgatisim këta nxënës për tregun e punës dhe në të ardhmen këta nxënës të punësohen në këto kompani apo edhe të vetëpunësohen” tha profesoresha Nafije Beqa.
Ndërsa si motiv për angazhim e cilësojnë edhe nxënësit e kësaj shkolle.
“Është një rast i mirë për kryerjen e pjesës praktike në një kompani prestigjioze siç është Bau Market. Kemi kryer pjesë praktike edhe më herët por ky është një rast shumë i mirë dhe një motivim shumë i mirë për profesionin tonë” tha Donart Hyseni nxënës i kësaj shkolle.
Pas nënshkrimit të kontratë të gjithë nxënësve që ishin prezent gjatë kësaj ceremonie të nënshkrimit Kompani u dhuroi nga një komplet pajisjesh për punë në profilin e Hortikulturës.