Ferizaj.28.11.2016. Me homazhe në varrezat e qytetit në Ferizaj u shënua 104 vjetori i shtetit shqiptar.
Paraprakisht një lum i gjatë njerëzish, në ballë të të cilit ishin drejtues të pushtetit lokal, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, veteranë, invalidë të luftës e familjarë të dëshmorëve, janë përkulur para shtatores së komandantit të shquar, Rexhep Bislimi, për të vazhduar më pas me homazhe para pllakës kushtuar 5 dëshmorëve të rënë në Tanushë të Gostivarit.
Strukturat udhëheqëse të Komunës së Ferizajt, me homazhe kanë nderuar edhe dëshmorin Naim Beka-Sokoli, ndërkaq po ashtu janë përkulur para shtatores së ngritur në bronzë të dëshmorit Afrim Kalanica.
Me homazhe janë nderuar edhe 62 dëshmorët që pushojnë të qetë tek Varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, është shprehur se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, por edhe për qytetarët ferizajas , të cilët me këtë rast shënojnë sukseset e veta në kuadër të këtij përvjetori.
“Sukseset janë të dukshme të vërejtura në secilin segment të jetës, aty ku frymojnë qytetarët tanë dhe është po ashtu një moment tepër i rëndësishëm për të gjithë ata që u flijuan së pari në betejat që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë në Ferizaj në vitin 1909, e më vonë edhe ato të vitit 1913 ato që u organizuan për mbrojtjen e kësaj pavarësisë. Dihet se ajo natyrisht nuk ishte një pavarësi e plotë por, realisht ishte ajo që ka shpëtuar gjenezën e kombit shqiptar dhe i ka hapur rrugë zhvillimit tonë të përgjithshëm të kombit tonë”, ka thënë kryetari Svarqa.
Qytetarët ferizajas me rastin e festës së 28 nëntorit i ka uruar edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Ferizaj Gafurr Bytyqi.