Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se Shqipëria, do të marri tre helikopterë të tipit “Black Hawk” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e pranishme të hënën në mbrëmje në emisionin “Real Story”, theksoi se në javët në vijim do jetë në SHBA për të firmosur kontratën.
“Do të marrim (Shqipëria) tre helikopterë të tipit “Black Hawk”. Kontrata firmoset pas pak javësh në SHBA. Do rrisë kapacitet tona, do e modernizojnë flotën tonë. Janë në gjendje shumë të mirë dhe normalisht të përdorura”, – vijoi ministrja e Mbrojtjes
Duke folur për bashkëpunimin me NATO-n, e para e mbrojtjes në Shqipëri tha se 10-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është dhe një moment krenarie dhe reflektimi, shkruan Fax News. al përcjellë Klan Kosova.
“Unë besoj që është edhe një moment krenarie, sepse besoj që kemi bërë shumëçka në këto 10 vite edhe unë e theksova edhe gjatë aktiviteteve, nuk donim ta trajtonim thjesht si një ditëlindje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, – tha Xhaçka.
Sipas saj, vendi ynë ka marrë përgjegjësitë që takon në këtë aleancë.
“Kemi marrë përsipër edhe shumë angazhime që na kanë bërë në këtë pikë jo thjesht një konsumator të sigurisë, të asaj sigurie që vjen duke qenë pjesë e kësaj Aleance të fuqishme ushtarake më të madhen edhe më të rëndësishmen dhe pa diskutim asaj që i ka rezistuar më gjatë kohës, plot 70 vjet mbushen këto ditë, por edhe për të thënë që ja kemi dalë të bëhemi eksportues të sigurisë përmes kontributit tonë të jashtëzakonshëm në të gjitha misionet dhe operacionet e Aleancës, duke u bërë një ndër vendet, kam përshtypjen që garon herë i pari herë i dyti me kontributin më të madh për “capita” apo si raport i numrit total të Forcës tonë të Armatosur”,e cila garantoi se ka një angazhim politik dhe për përmbushjen 2 përqind të buxhetit.