26,11,2024

SBASHK-u përsërit ultimatumin për grevë

Must Read

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bashkë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe anëtarë të tjerë të Kabinetit zhvilluan një takim me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Por sipas, SBAShK-ut, zyra e kryeministrit Haradinaj nuk përmendi çështjet më të rëndësishme që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Përmes komunikatës së lëshuar nga SBAShK-u, thuhet se Jasharaj i tha kryeministrit se kërkesë e të gjithë punëtorëve të arsimit është ngritja e koeficienteve për së paku 30 për qind në Ligjin e Pagave për tërë sektorin e arsimit, duke e cilësuar këtë si kërkesë minimale krahasuar me ngritjet që Ligji i pagave siguron për sektorë të tjerë.

Ai theksoi se nëse një kërkesë e tillë nuk gjen zbatim, atëherë do të veprohet sipas kërkesës së kësaj anëtarësie për nivelizimin e koeficienteve nëpër sektorë, duke u bazuar në kualifikimin e njëjtë dhe punën e detyrat e njëjta.

I pari i SBASHK-ut gjithashtu ka paralajmëruar kryeministrin se nëse kjo gjë nuk ndodhë, atëherë në tërë sistemin arsimor, nga çerdhet e deri në universitete do të ketë grevë të përgjithshme.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar se koeficientet për sektorin e arsimit duhet përmirësuar, por sipas komunikatës së SBAShK-ut, nuk është deklaruar se sa mund të jetë kjo ngritje.

Haradinaj i është përgjigjur përfaqësuesve të SBASHK-ut se komisioni i përbashkët duhet të prezantohet para Komisionit parlamentar për Administratë, Qeverisje Lokale e Medie me propozimin e ngritjes së koeficienteve për sektorin e arsimit brenda mundësive buxhetore.

Ndërkaq, ministri Bytyqi ka ritheksuar se koeficientët për arsim janë të ulëta dhe se është duke punuar në formimin e një komisioni të përbashkët me kryeministrinë dhe SBASHK-un, për të përmirësuar koeficientet në tërë sektorin e arsimit.

Përfaqësuesit  SBASHK-ut përsëritën qëndrimin e tyre sa i përket Ligjit të pagave, se versioni aktual ka krijuar  diferenca të mëdha mes pagave të të punësuarve në sektorë të ndryshëm.

Prandaj edhe sugjeruan që ky ligj të tërhiqet sepse atëherë do të mundësohej një nivelizim i vërtetë pagash dhe jo si i tanishmi që ka krijuar diferenca deri në 80 për qind mes të punësuarve në sektorë të ndryshëm, por që kryejnë punë të njëjtë dhe kanë ngritje të njëjtë profesionale.

Delegacioni i SBASHK-ut ka njoftuar gjithashtu se bashkë me kryetarët e niveleve komunale dhe atyre të Universiteteve do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm të enjten (10 janar), për të debatuar për çështjet e ngritura dhe për të marrë vendime konkrete.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img