27,11,2024

Rinovohet reparti i Pediatrisë dhe funksionalizohet laboratori me mjete moderne në Spitalin e Ferizajt

Must Read

Ferizaj.21.09.2018. Investimet që u bën në Repartin e Pediatrisë të Spitalit të Ferizajt, si dhe funksionalizimi i një laboratori të ri për nevojat e përgjithshme të këtij spitali,  ka bërë që ky institucion të vizitohet sot nga drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe drejtues të pushtetit lokal. Këto investime u vlerësuan si shumë të nevojshme për spitalin e këtushëm, e sidomos tek reparti i fëmijëve. Duke premtuar mbështetje, drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, tha se Spitali rajonal i Ferizajt është në prioritetin e institucioneve qendrore.

“Qysh tash do të përgatitemi që krahas këtyre kushteve që ekzistojnë t’i përmirësojmë dhe t’i trajtojmë edhe emergjencat apo edhe të përgatitemi për spitalin e ri, qoftë me pajisje mjekësore, qoftë me kuadër. Përkrahja nuk do të mungoj, do të jetë prioritet nga të gjitha spitalet e Kosovës, pasi që pritet të jetë një spital modern dhe mendoj që do të finalizohet për të  qenë në shërbim të qytetarëve të këtushëm sepse edhe e meritojnë tash e një kohë të gjatë”, tha Basri Sejdiu.

Ndërkaq, drejtori i Spitalit rajonal të Ferizajt Jeton Zeqiri, tha se investimet që do të bëhen janë për të mirën e pacientëve, duke theksuar se ardhja e aparaturave të reja i obligon që ato të ruhen dhe të mirëmbahen .

“Ne kemi bërë disa ndryshime dhe e kemi parë të arsyeshme që stafin administrativ ta sistemojmë nëpër vende të ndryshme, ndërkaq hapësirat i kemi liruar për reparte dhe laboratorë siç është ky sot i Pediatrisë. Gjithashtu në bazë të kushteve që kemi pasur kemi rregulluar urgjencën pediatrike në nivel të repartit, kështu që tash e tutje fëmijët do t’i kenë disa kushte më të mira. Do të kërkojmë po ashtu më shumë përgjegjësi për pajisjet dhe investimet që bëhen këtu dhe presim që e ardhmja të tregoj sa do t’ia arrijmë këtij qëllimi”, tha Zeqiri.

Për mbështetjen që do t’i bëhet shëndetësisë në Ferizaj, u zotuan edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Në kuadër të planifikimeve buxhetore dhe të zhvillimit të shëndetësisë Ministria jonë është duke u marrë edhe me çështjen e një studimi për nevojat e Spitalit të Ferizajt, si për personel ashtu edhe për pajisje për spitalin e ri që brenda dy viteve planifikohet të ndërtohet”, tha Ardian Ferizi nga MSH..

U bë e ditur se laboratori që erdhi sot në këtë spital kap vlerën e  rreth 15 mijë eurove, ndërkaq me participim të komunës së Ferizajt dhe mjeteve vetanake te këtij institucioni, renovimi i Repartit të Pediatrisë po ashtu ka kushtuar rreth 15 mijë euro.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Për tre vjet KRM “Pastërtia” në Ferizaj kursen mbi 600 mijë euro nga rritja e të hyrave

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj gjatë viteve të fundit ka përmirësuar gjendjen financiare derisa ka kursyer nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img