Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për festën e vitit të ri. Diku rreth 70 për qind e personelit të Policisë së Kosovës janë të angazhuar për të ofruar siguri për qytetarët .
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se në natën e ndërrimit të motmoteve janë të angazhuara edhe njësitë e reagimit të shpejtë, njësitë speciale apo edhe njësi të tjera.
“Shumica e kapaciteteve të Policisë së Kosovës do të jenë të angazhuar meqenëse ne mbulojmë tërë Kosovën duke filluar nga stacionet policore, nënstacionet anë e mbanë vendit. Përveç detyrave rutinore që i kemi të cilat i kryejnë stacionet policore, kemi edhe angazhime të njësive të reagimit të shpejtë, qoftë të njësive speciale apo njësive tjera dhe mund të them që kapacitetet e policisë së Kosovës të angazhuara në ofrimin e sigurisë për këto festa do të jetë diku 65 për qind apo 70 për qind të personelit të Policisë së Kosovës”, tha Qalaj.
Ai tha se në tre vjetët e fundit vërehet një trend i zvogëlimit të përdorimit të mjeteve piroteknike në tërë Kosovën.
Qalaj i ka bërë apel qytetarëve të Kosovës që të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e këtyre mjeteve dhe mos t’i lejojnë fëmijët që t’i përdorin ato.
“Dy tri vitet e fundit vërehet një tendencë, një trend i zvogëlimit të përdorimit të mjeteve piroteknike nga qytetarët anë e mbanë vendit. Po e shoh se këtë vit kemi shumë më pak përdorues, deri më tash së paku, kanë kontribuuar shumë edhe mediet, fushatat e ndryshme dhe disa vendime të kuvendeve komunale të cilat kanë ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në mënyrë të pakontrolluar. Konsideroj që është nata e vitit të ri, jam i sigurt që do të përdoren sonte mirëpo apeli jonë kishte me qenë që qytetarët të jenë sa më të kujdesshëm në përdorimin e mjeteve piroteknike dhe atëherë kur të përdorin mos t’i lejojnë fëmijët që mos të lëndohen nga përdorimi i tyre”, ka thënë Qalaj.