Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit në KQZ, Enis Halimi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e votimit, materialet janë bartur në depo si dhe kanë përfunduar të gjitha aktivitetet si trajnimi i komisionarëve etj.
Megjithatë, Halimi nuk ka siguruar që listat e votuesve janë pastruar qind për qind, por ai ka shtuar se listën e votuesve KQZ e merr nga ekstrakti i gjendjes civile.
“Është e vërtetë se janë disa probleme për shkak të pamundësisë së pastrimit të plotë po ta dini që KQZ-ja e merr ekstraktin e gjendjes civile nga MPB përkatësisht Agjencioni i Regjistrimit Civil dhe ai ekstrakt, cilësia e atij ekstrakti reflekton edhe në cilësinë e listës së votuesve. Që ta dini, me rregullativën tonë që e kemi në fuqi çdo qytetar që ka dokument valid të Republikës i lejohet e drejta e atij e votës edhe pse ai mund të jetoj në perëndim”, tha Halimi.
Ndërsa sa i përket votimit të dyfishtë apo votimeve me ndihmë të familjarëve, Halimi ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me ligj, mirëpo tha se votuesit të cilët nuk dinë shkrim-lexim i kanë të caktuara rregullat se si do të votojnë në ditën e votimit.
“Sa i takon votimit të dyfishtë, ju po flisni për një vepër penale që si e tillë sanksionohet me kod penal, por është keqpërdorim i të drejtës dhe mundësisë që i jepet dikujt me votu dhe si e tillë është sanksionuar dhe pikërisht për këtë fakt jemi sot këtu që të zotohemi që nuk do të lejojmë dhe nëse dikush tenton do të merren masa. Ndërsa për votimet familjare ajo lejohet me rregullativë për shkak të sistemit tonë që kemi të zgjedhjeve, nuk është votim familjar, por është votim me ndihmë apo votim me asistencë për shkak të gjendjes së personave të ndryshëm që kanë analfabetizëm apo diçka tjetër por janë kriteret e sakta ligjore se si lejohet të asistohet, lejohet të asistohet vetëm një herë, një person nga këshilli i votimit vetëm në një rast të vetëm dhe jo më shumë”, tha Halimi.
Sigurimin e votës së qytetarëve e ka deklaruar edhe Prokuroria e Shtetit.
Prokurorja Laura Pula tha se do të reagohet në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve për çdo raportim për keqpërdorim.
Pula tha se do të merren masa të veçanta në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale.
“Prokuroria e Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës bazuar në këto procedura standarde të veprimit do të ndalojnë dhe do të arrestojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyrë do të ndikojnë në keqpërdorimin e votës, duke përfshirë mos të harrojmë: qytetarët, personat zyrtarë, trupat zgjedhore të emëruar nga KQZ-ja si dhe përfaqësues të subjekteve politike të cilët janë në garë dhe të gjithë ata personat përgjegjës që në çfarëdo mënyre mundohen nga çdo institucion tjetër që e kanë për obligim të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të sabotojnë në një mënyrë, apo në mënyrë tjetër procesin zgjedhor në mënyra të ndryshme. Prokuroria e Shtetit do të reagojë në të gjitha informacionet e siguruara nga qytetarët, personeli zyrtar i angazhuar nga KQZ-ja, Policia e Kosovës, portalet informative dhe rrjetet sociale. Po ashtu, të gjitha informacionet dhe postimet e rrejshme do të jenë subjekt preliminar nga prokurori i shtetit për hetim të mëtutjeshëm”, tha ajo.
Edhe Policia e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurinë e tërë procesit zgjedhor.
Zëvendësdrejtori Naim Rexha, tha se nga rreth 40 tubime zgjedhore sa janë mbajtur deri më tani, nuk është paraqitur asnjë incident.
“Policia e Kosovës me kohë i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme planifikuese me ç‘rast tashmë është thellë e angazhuar në të gjitha fazat e procesit zgjedhor të cilat deri më tani kanë kaluar dhe fazat e radhë së fushatës sot, heshtjes zgjedhore nesër, të realizimit të zgjedhjeve pasnesër dhe të procesit pas përfundimit të votimit. Në fakt, roli i Policisë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit referuar dokumenteve bazë të cilat u cekën nga zonja prokurore janë në plotni të mjaftueshëm për të mos i lënë rastit asgjë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, tha Rexha.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor(e diel).
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë janë shpallur pas dorëheqjes së Nexhat Demakut nga pozita e kryetarit, pasi që të njëjtit Gjykata e Apelit ia ka konfirmuar dënimin me tre vjet burg për krime lufte.
.