Stafi menaxherial i Qendrës së Paraburgimit në Prizren pritet të pezullohet nga detyra pasi është hartuar një raport në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Raporti në Ministrinë e Drejtësisë është hartuar nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka gjetur mangësi në lidhje me ofrimin e sigurisë së mjaftueshme që të mos ndodhte akti i vdekjes së aktivistit të subjektit më të madh politik opozitar në vend.
Derisa raporti ka arritur në duart e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie kanë thënë për gazetën “Zëri” se pezullimet nga puna pritet të ndodhin shumë shpejt edhe atë duke u bazuar në të gjeturat e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.
Dje është raportuar poashtu se Hoxha shumë shpejt do të shkarkojë nga puna stafin menaxherial të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Në bazë të vlerësimeve të Komisionit Hetimor, nga puna do të pezullohen u.d të drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, një mbikqyrës i lartë dhe dy oficerë.
.