Në një dhomë e cila nuk i plotëson as kushtet minimale për jetë banon familja 7 anëtarëshe Ramadani nga Ferizaj. Mirëpo, as kjo dhomë ku ata po jetojnë nuk është e tyre, por e Shoqatës së Pensionistëve të Ferizajt, objekti i të cilëve do të rrënohet pas një vendimi të marrë nga Kuvendi Komunal.
E zonja e shtëpisë Nafije Ramadani, duke treguar kushtet në të cilat jetojnë fajëson institucionet që nuk u dolën në ndihmë asnjëherë edhe pse burri i saj është veteran i luftës.
“Kushtet nuk i kemi aspak të mira, shteti nuk na ka siguru asgjë, banesa në prishje është, ne nuk kemi asnjë siguri. Vet e shtata jetojmë në këtë dhomë, fëmijët i kam krejt nëpër shkolla, i kanë sukseset e mira, kanë ardhur komsioni ka shiku por prapë asgjë, tmerr është për këtë shtet një veteran i luftës me jetu në këto kushte“, tha Ramadani.
E, për të ndihmuar këtë familje, pronari i ”Plus Market”-it dhe disa organizata joqeveritare të Ferizajt, kanë nisur një aksion për të grumbulluar mjete financiare për ta bërë me kulm mbi kokë këtë familje.
Ata, në sheshin para komunës kanë improvizuar një kafeteri, ku qytetarët do të mund të shërbehen me kafe dhe paratë e grumbulluara do të shkojnë për këtë familje.
“Kemi shpreh dëshirë që me ia maru një shtëpi ose me ua ble një banesë, shpresoj që do të ndihmojnë edhe bizneset e tjera, ne e kemi hapur një xhirollogari, ia kemi dorëzuar ATK-së, Policisë dhe Prokurorisë që ata ta kontrollojnë atë, besoj që do të shkoj puna mbarë, besoj që edhe popullata do të ndihmojnë, kafja është me pare, por çka të shitet do të shkojnë krejt për bamirësi“, tha Sylejman Neziri, pronar i ”Plus Market”-it.
“Jemi formu një grup prej 7 anëtarësh që do organizojmë disa aktivitete, sot e kemi nsiur me këtë shtëpizë ku do të shërbehen me kafe qytetarët dhe mjetet të cilat do të mbledhen do të shkojnë për bamirësi, qëllimi është të mbledhim sa më shumë mjete financiare dhe të ndihmojmë këtë familje e cila e ka gjendjen e rëndë“, tha Arbenita Topalli nga INPO.
Kjo inciativë e ka gëzuar pa masë familjen Ramadani, për çka shprehen shumë mirënjohës.
”Falënderoj shumë z.Sylën, më vjen keq që ai me dhanë maksimumin më shumë se institucionet nga shteti, e falënderoj shumë që vendit tonë i duhen shumë si ky person, me të vëretë po më vjen rëndë se shteti ka qenë dashtë të na ndihmoj e jo të kërkohet ndihmë për mua“, tha Ramadani.
Brenda hapësirës së kësaj kafeterie të improvizuar, inciatorët gjatë një muaji do të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore e sportive, për të nxitur kurreshtjen e qytetarëve për të pirë kafe aty, ndërsa më 28 nëntor do të organizojnë vrapim me moton “Të vrapojmë për bamirësi”.