Megjithëse u ndau bursa studentëve të dalluar të qytetit, Komuna e Ferizajit nuk e ka buxhetin për t’ua ndarë mjetet fituesve.
Antigona Maloku, studente e nivelit master në Universitetin e Prishtinës, ndonëse e ka fituar bursën komunale prej 500 eurove për vitin akademik 2018-2019, paratë nuk i ka marrë ende.
Ajo si studente e dalluar ishte në listën e fituesve të shpallur nga komuna ku me datë 24 qershor 2019, komuna e Ferizajt edhe shpall listen e fitueseve.
Sipas Antigonës mjetet financiare nga bursa që atëherë nuk dolën në xhirollogaritë edhe të rreth 100 studentëve të tjerë.
“Zakonisht viteve të tjera bursat janë vonuar 10-15 ditë dhe njëherë menduam se është ky problemi por ditët kalonin dhe nuk kishte asgjë”, thotë Maloku.
Lorita Rama kryetare e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Ferizajt tha se janë të njoftuar me këtë problem.
“Ankesat për mos marrje të bursave janë shpeshtuar 2-3 muajt e fundit kur edhe ka filluar viti akademik. Shumë përfitues të bursave janë të nivelit master dhe shpenzimet e tyre janë më të mëdha ku për një semestër duhet të paguajnë 150 euro dhe 2.50 euro për çdo provim”, tha Rama për KALLXO.com
Ajo shton se në fillim kur e kanë paraqitur këtë problem komuna nuk iu kishte kthyer përgjigje, ndërsa vetëm këtë javë ata janë takuar me zyrtarë komunalë.
Afrim Llabjani Drejtor i arsimit në Ferizaj tha se mjetet nuk janë ndarë për studentë për shkak të përmbaruesve me të cilët po përballet kjo komunë. Ai nuk ka treguar numrin e studentëve me këtë problem.
“Por arsyeja pse paratë nuk ju kanë dalë në xhirollogaritë e studentëve ka të bëje me procedurat përmbarimore që po përballemi ne si komunë, kjo ka bërë që përmbaruesit t’i marrin paratë nga çdo kod buxhetor dhe të na pamundësojnë që ne të kryejmë pagesat ndaj studentëve”, tha Llabjani për KALLXO.com
Sot studentët përfitues të bursave kanë protestuar si shenjë revolte ndaj komunës.