Punëtorët e sektorit publik me gjasë nuk do të mund t’i marrin pagat me rritje as gjatë këtij muaji.
Ndonëse Ligji për Paga ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti, Avokati i Popullit sot i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pas ankesave të 35 sindikatave.
Madje, ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të këtij Ligji deri në një vendim përfundimtar nga Kushtetuesja.
Deri tani, tri sindikata kanë paralajmëruar kolaps të shtetit, nëse pezullohet ligji.
Mbi 80 mijë punëtorë që paguhen nga buxheti i shtetit duket se do të vazhdojnë t’i marrin pagat pa rritje. Arsye për këtë është vendimi i Avokatit të Popullit, që ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Paga.
Se Avokati i Popullit ka dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për këtë ligj, e ka konfirmuar, zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula.
“Në Gjykatën Kushtetuese sapo është parashtruar kërkesa përkitazi me Ligjin për pagat nga Avokati i Popullit”, ka thënë Dula.
E dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për ta pezulluar këtë ligj, sipas Institucionit të Avokatit të Popullit, vjen pas pranimit të 35 ankesave nga sindikata të ndryshme, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.
“Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore.
Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, thuhet në komunikatë.
Ky institucion ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
“Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës
të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet tutje në komunikatë.
Ndërkohë, në Ministrinë e Financave kanë treguar se tash për tash Ligji është në dorë të Kushtetuese.
“Tash në si ministri nuk mund të marrim asnjë vendim për pagat. Tash duhet të presim vendimin përfundimtar nga Gjykata Kushtuese.
Nëse pezullohet Ligji, atëherë pagat dalin pa rritje, nëse nuk pezullohet atëherë pagat dalin me rritje, siç janë paraparë në Ligj”, kanë thënë në këtë ministri.
E përderisa 35 sindikata janë ankuar për këtë ligj, ka edhe nga ato që kanë paralajmëruar masa nëse ky ligj dërgohet në Kushtetuese dhe merret vendim që të pezullohet.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë, të kanë paralajmëruar protesta nëse pezullohet ekzekutimi i ligjit të ri.
Nga SBASHK-u kanë thënë se do të ishte e rrugës nëse do të gjendej një zgjidhje lidhur me pakënaqësitë ndaj ligjit, por jo të shkohet edhe me pezullimin e tij.
“Pas ankesave ka mundësi që Avokati i Popullit ta dërgoj në Kushtetuese këtë ligj. Kemi kontaktuar me kryetarin Sindikatës së Shëndetësisë, kryetaren e Sindikatës së Policisë dhe nëse ndodh kjo do të marrim masat tona.
Në këtë rast mësimdhënësit janë të shqetësuar sepse kanë pritur një kohë të gjatë për të përmirësuar koeficientët dhe do të ishte keq që të ndodh kjo.
Këshilli Drejtues do të vendos për hapat e mëtutjeshëm, por kam frikë se mund të kemi një gjendje jo të mirë në arsim nëse ndodh kjo”, ka thënë kryesindikalisti Rrahman Jashari.
Edhe nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), kanë pohuar se janë koordinuar me SBAShK-un dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që të këmbëngulin në implementimin e Ligjit për Paga.
Ndryshe, Ligji i ri për Paga pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, deri sa kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9.
Llogaritur sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.
Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.
Sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro që është paguar deri më tani. Po ashtu, paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 euro.
Pagë të njëjtë do të merr edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Kryeqytetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Avokati i Popullit dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës.
Ligji thotë se shefi i Kuvendit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre.
Ata do të marrin 70 për qind të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar dhe veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin.
Pagë pas përfundimit të mandatit nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët.
“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70 për qind të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga.
Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.
Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra, ishte bërë për zëvendësministrat dhe ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit dhe të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në Ligj.
“Zëvendësministri i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë muaj në vlerë prej 70 për qind të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin.
Përfitimi sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: jep dorëheqje nga funksioni. Shkarkohet nga funksioni për shkelje ligjore. Pas përfundimit të mandatit ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës.
Ose nëse me vendim të formës së prerë nga Gjykata është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale gjatë kohës që ka bartur funksionin”, thuhet në Ligj.
Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro.
Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.
“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind.
Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind.
Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind.
Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.
Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro.
Kjo pagë nuk ka ndryshuar qysh nga viti 2011, atëherë kur ishte vendosur për këtë nivel. Mirëpo, në muajin prill të 2019-së, PSD kishte propozuar që paga minimale të rritet me 250 euro. /Express