Se kërkohet ndërgjegjësim më i lartë qytetarë për kujdes ndaj mjedisit, dëshmojnë edhe rastet e fundit e paraqitjes së zjarreve fushore dhe malore në territorin e Ferizajt.
Qytetarë të papërgjegjshëm, me arsyetimin e pabazë të përgatitjes për sezonin e mbjelljeve kanë ndezur zjarre ndaj të lashtave, të cilat me shpejtësi marramendëse janë shpërndarë në një tablo të gjerë të territorit malor të Ferizajt.
E gjitha, edhe nga hetimet policore që kanë nisur me intensitet të lartë ndaj kryesve të këtyre veprimeve, po rezulton të jetë realizuar qëllimshëm.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, ka disa ditë që janë vazhdimisht në terren për të vizituar zonat e prekura nga zjarret, motivuar punonjësit e zjarrfikjes që me punën e tyre të guximshme po mbrojnë çdo pëllëmbë toke nga furia e zjarrit që po shkakton dëme vështirë të riparueshme.
Ata kanë vizituar terrenet e prekura malore në Burrnik, Semajë, Gurëz e Komogllavë si dhe zona të tjera me dëme më të mëdha.
Dëmet nga zjarret fushore dhe malore të shkaktuara ditëve të fundit, janë të mëdha. Përveç botës bimore, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe për botën shtazore. E gjitha kjo nga papërgjegjshmëria dhe vetëdija e ulët qytetare që ka shkaktuar zjarrvënien.
Komuna e Ferizajt në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, njofton se kanë nisur hetimet ndaj zjarrvënësve dhe se konform legjislacionit në fuqi do të shqiptohen edhe sanksionet përkatëse. Territori ynë malor është i dëmtuar tej mase nga zjarrvënia, zjarr që ka dal kontrolli dhe është përhapur përtej pronave private të shkaktuesve të zjarrit.
Heronjtë e mbrojtjes nga zjarret në territorin e Ferizajt janë zjarrfikësit, të cilët të palodhur, në lartësinë e kryerjes me përkushtim të detyrës, duke rrezikuar, kanë arritur që ta normalizojnë gjendjen. Autoritetit lokale rezervojnë falënderim publik për skuadrën e zjarrfikësve të përfshirë në aksionin kundër zjarreve fushore e malore.