Me shënimin e 9 rasteve të reja mbrëmë me virusin COVID-19, Komuna e Ferizajt e ka marrë primatin si qyteti me më së shumti të prekur nga Coronavirusi. Vatra e përhapjes së Coronavirusit në këtë qytet, u bë Kampi “Bondsteel”, i cili njëherësh është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë.
86 nga 90 të prekurit me virus nga ky qytet, janë punonjës të kësaj baze ose familjarë të të infektuarve, teksa deri më tani jetë kanë ndërruar edhe 2 të prekur e që në Kamp ishin shoferë.
Por, pavarësisht rritjes së rasteve kryetari Agim Aliu po thotë se heqja e Ferizajt nga karantina do të bënte që resurset policore të shfrytëzoheshin më shumë në vëzhgimin e fshatrave dhe vendbanimeve ku qytetarët po gjejnë edhe rrugë alternative për të hyrë.
Kryetari Aliu ka thënë që pritet të testohen edhe 400 persona, duke e përfshir edhe shtabin mjekësor të komunës se Ferizajit.
Shtabi emergjent i komunës së Ferizajit krahas angazhimeve të tjera lidhur me menaxhimin e situatës, dhe komunikimin e vazhdueshëm me faktorët relevant, po jep kontribut edhe në dërgimin e ndihmave të familjeve me vështërsi sociale dhe ekonomike, transmeton Televizioni Liria.