Gjatë ditës së sotme ish kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa përmes një komunikate për medie ka akuzuar qeverinë komunale të Ferizajt për vonesën e hartimit të Hartave zonale të Ferizajt.
Në anën tjetër akuzave të të parit të LDK-së i është përgjigjur Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj i cili ka thënë se Ferizaj është komuna me progresin më të madh në hartimin e hartave zonale,LDK planifikoi paushall territorin
“Drejtori i Urbanizmit ne Ferizaj po duket qe
nuk ka as vullnet e as dije qe t’i kryeje punet e tij. Ai që nga instalimi i
pushtetit të PDK- së në Ferizaj, merret më shumë me punët që nuk i takojnë,
duke bërë zëdhënësin e Komunës, kur arsyeton qeverinë komunale për dështimet e
sajë, e herë duke imituar kryetarin e Komunës. Nëse i referohemi Ligjit
04/L-174 për planifikim hapsinor, në nenin 11 të përgjegjsitë e autoritetit përgjegjës komunal për planifikim dhe menaxhim hapsinorë,
shohim te pika 1.5. se “hartimin e Hartës Zonale në përputhje me hartën
Zonale të Kosovës dhe normat teknike të planifikimit hapsinorë, Komuna duhet
t’i kryeje 9 muaj pas miratimit përfundimtar të Planit Zhvillimorë
Komunal”.
Komuna e Ferizajt ka miratuar PZHK-në vitin 2017,
ndërkaq as edhe gati pas dy vitesh, drejtori i urbanizmit nuk ka ndërmarrë asnjë
hapë konkret. Për të qene ironia edhe më e madhe, komuna ka të kontraktuar edhe
një kompani konsulente për këtë qëllim. Pse nuk hartohet harta zonale, qytetarët
nuk e dinë. Këtë e di ndoshta vetëm drejtoria e urbanizmit dhe kryetari Aliu, të
cilët ndoshta mendojnë se qytetarët s’ kanë pse ta dinë këtë punë, kur e dinë
ata. Por, të jepen lejet e ndërtimit vetëm me PZHK, edhe gati dy vite pas
miratimit të tij në Kuvend, vetvetiu “arsyeton” mosfillimin e
hartimit të hartave zonale. Sepse harta zonale rregullon, mes te tjerash, edhe
koeficientin e ndertimit dhe etazhitetit dhe ua nderpret rrugen mundesive te
manipulimit ne këtë fushe. Drejtori i urbanizmit, për qellime që vetem ai i di,
Planin zhvillimor komunal e përdorë në mënyrë selektive (kur i konvenon vetëm
atij dhe pushtetit), ndërkaq për objektet strategjike të Komunes së Ferizajt
dhe të ardhmes së sajë (si te Spitali rajonal , Varrezat e Qytetit, tuneli,
shkollat etj), nuk zbatohet ky dokument i lartë por drejtori thirret në ligjin
e ndërtimit. Dega e LDK-se në Ferizaj edhe përmes grupit të asamblistëve të sajë
në Kuvendin e Komunës, kërkon që të fillohet me realizimin e këtij obligimi
ligjor nga kjo drejtori dhe nga drejtori i sajë, në menyrë që hartimi i hartës
zonale të jetë prioriteti kryesor, siç e kërkon ligji. Shtyrja e mëtejme e këtij
obligimi për LDK-në e Ferizajt, konsiderohet se po bëhet me motive keqpërdoruese,
të cilat degradojnë zonën urbane të qytetit me pasoja të pariparueshme!”
thuhet në komunikatën lëshuar nga
kryetari I LDK-së Muharrem Svarqa.
Në anën tjetër akuzave të ish Kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa për vonesat në hartimin e hartës zonale të Ferizajt i është përgjigjur sot menjëherë i pari i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj, Lulzim Aliu. Ai përmes një konference për media, pasditen e sotme ka deklaruar faktet mbi të cilat pohimet e opozitës rezultojnë të paqëndrueshme dhe tërësisht me tendencë politike.
Drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu tha se Komuna e Ferizajt është ndër komunat e vetme në nivel republikan që ka gati në përmbyllje procesin e hartimit të hartave zonale, për dallim prej diku afro 60% të komunave që vetëm sa kanë filluar këtë proces. Ai tutje tha se dokumenti i hartës zonale është njëri prej dokumenteve më të rëndësishme të planifikimit dhe natyrshëm është shqetësim edhe i qytetarëve porse duhet të dihen qartë faktet që kanë shkaktuar këtë vonesë.
“Dokumenti i hartës zonale është njëri prej dokumenteve më të rëndësishme të planifikimit dhe sigurisht se është shqetësim për të gjithë qytetarët e Komunës por kur kjo vjen nga një ish Kryetar Komune i cili ka qenë bartës dhe përgjegjësi kryesor për hartimin e dokumenteve të planifikimit, si dokumentet më të rëndësishme që i japin kahje zhvillimit në shumë drejtime, në shumë segmente të qytetit, atëherë kjo duket e paarsyeshme ose me tendenca politike. Ish kryetari i Komunës edhe me këtë deklaratë ka dhënë për të kuptuar se pikërisht në kohën kur ka filluar procesi i hartimit të këtyre dokumenteve ai nuk e ka ditur rolin dhe formën e këtyre dokumenteve. Ne kemi trashëguar një Plan Zhvillimor Komunal i cili është hartuar me shumë gabime dhe atë gabime të papërmirësueshme të cilat do ta zvarrisin dhe shkaktojnë shumë telashe në dokumentet tjera të planifikimit” tha drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu.