Dega e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) në Ferizaj pritet që gjatë javës së ardhshme të intensifikoi procesin zgjedhor me mbajtjen e kuvendeve të nëndegëve.
Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të këtij subjekti që merren me këtë proces i cili sipas tyre deri më tani ka rezultuar i suksesshëm.
Kryetari i komisionit lokal zgjedhor në degën e PDK-së, Gazmend Bytyçi, ka thënë se procesi zgjedhor në degën e Ferizajt ndodhet në fazën kur pritet të dalin kuvendet e nëndegëve dhe drejtuesit e tyre, për të vazhduar me Kuvendin zgjedhor dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të degës.
Madje ka shtuar se tashmë ekziston edhe një agjendë zgjedhore, teksa ka spikatur se një punë të mirë në teren e ka zhvilluar grupi strategjik i cili edhe ka vendosur kontaktin me shumë personalitete që vijnë nga fusha të ndryshme.
Për më tepër mësohet se përfundimi i këtij procesi në teren do të kulmoi me mbajtjen e Kuvendit qendror të degës. Një proces i cili po determinohet nga një udhëzues i nivelit qendror.
Kryetari i komisionit zgjedhor Gazmend Bytyçi ka thënë se kjo rregullore do të zbatohet me kujdesin më të madh dhe e cila ka sjellur risi në zgjedhjen e kryetarit të degës por edhe kryetarëve të nëndegëve.
Ndërkohë bëhet e ditur se deri më tani në këtë subjekt nuk ka emra të përveçshëm për ta udhëhequr degën.
Siç dihet në krye të degës është Agim Aliu, i cili njëherësh është edhe kryetar i komunës dhe pretendentë për këtë pozitë, por jo edhe ndonjë kandidaturë tjetër.
Lidhur me këtë u tha se afatet kohore janë të atilla që gjithësecili që ka interesim mund ta paraqes kandidaturën për kryetar .
Zgjedhjet në degën e PDK-së kanë nisur kohë më parë me formimin e dy grupeve, atij strategjik dhe Komisionit zgjedhor, për të cilat u tha se me sukses janë duke i kryer punët e tyre.
Fillimi i muajt tjetër po shihet si afati kur pritet që dalin edhe struktura e reja drejtuese të degës së PDK-së në Ferizaj.