Këtë të enjte është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit Zariqi, ndërsa në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtor të drejtorive komunale si dhe anëtarë të kuvendit.
Në këtë mbledhje është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore 2023-2025.
Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili ka thënë se ndjen kënaqësi të veçantë, që ishte pjesë e seancës së sotme për të diskutuar dhe prezantuar një dokument të rëndësishëm buxhetor, në planifikimin e saj afatmesëm, Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025.
“Them se Komuna e Ferizajt tash e ca vite, ka krijuar një standard të ri. Është standardi i investimeve madhore në projekte që ndryshojnë rrënjësisht fizionominë e qytetit dhe fshatrave tona, projekte që nxisin zhvillimin ekonomik e padyshim projekte që sigurojnë një mirëqenie të përgjithshme qytetare.
Ky vizion, ka nisur e po vazhdon tash e sa kohë, për t’i sjellë ferizajasve më të mirën, më të përshtatshmen, më të nevojshmin investim që do ta lehtësonte jetën e tyre.
Janë pikërisht dokumentet e tilla, si Korniza Afatmesme Buxhetore 2023-2025, që keni para vetes, projeksioni ynë për ndarjet buxhetore për projektet ekzistuese dhe vizioni ynë për realizimin e projekteve të reja. Ferizaj meriton, ferizajasit meritojnë edhe më shumë punë, edhe më shumë projekte, edhe më shumë zhvillim, e këtu nënkuptojmë padyshim, infrastrukturë moderne, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, mirëqenie qytetare e mundësi të shumëllojta për të gjithë. Pikërisht, është Korniza Afatmesme Buxhetore, që do të përthekoj këtë qasje që ka qeverisja jonë, këtë bindje të rrënjosur thellë, këtë detyrë që kemi dëshmuar se dijmë dhe mund ta kryejmë më saktësi e kohë rekorde”, është shprehur Kryetari Aliu.
Kryetari Aliu, ka thënë se në planifikimin buxhetor të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2023-2025 për vitin 2023 në kategorinë e investimeve kapitale janë planifikuar 12,105,924,37€ kurse për vitet pasuese 2024 dhe 2025, janë planifikuar 13,966,532.74€ përkatësisht 14,717,888.36€, pa lënë anash faktin se buxheti total i Komunës së Ferizajt, për vitet pasuese, do të njoh rritje prej gati 2 milionë eurove, në bazë të parashikimeve në këtë drejtim.
“Edhe ky dokument, si çdo vendimmarrje që identifikon qeverisjen tonë, është produkt i debatit qytetarë, konsultimit publik, referencës e analizës profesionale, për t’i dhënë kahje të reja zhvillimi qytetit tonë, si në pikëpamje investimore ashtu edhe në idenë që kemi kultivuar e zbatuar për Ferizajn modern. Kaluar radhazi, në kuadër të Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025, kemi harmonizuar këto ide, për t’i përkthyer në punë e projekte konkrete, ndarë sipas fushave ku zbatohen.Siç e kemi thënë tash e sa kohë, e gjelbërta është sigla e këtij mandati qeverisës. Për t’i qëndruar besnik këtij parimi dhe vizionit tonë, kemi konceptuar projekte transformuese, vepra publike madhore, që të gjelbërtën kanë në qendër. Nisur që me rregullimin e miniparqeve sipas konceptit Pocket Park, të cilat veçse kemi filluar t’i realizojmë, vazhduar me rregullimin e parkut në zonën ku tani gjendet objekti i KRM “Pastërtia”, për të arritur tek dy projektet madhore në këtë segment, atë të zgjerimit dhe rregullimit të Parkut “Liria” dhe pyllëzimin e rregullimin e Parkut në Kodrën e Sherretëve, dy masive të gjelbërta këto që do t’i japin frymëmarrje të re gjithë trupit të Ferizajt.
Në pikëpamje të infrastrukturës publike, përveç projekteve që vijojnë të rrjedhin si pjesë e vazhdimësisë së transformimit urban, në Kornizën Afatmesme Buxhetore, kemi planifikuar edhe projekte, implementimi i së cilave do të përmbyllte nevojën e infrastrukturës bazike në përqindjen më të lartë të territorit të Ferizajt, për t’i hapur rrugë të reja, kapitullit të konceptimit modern infrastrukturor të qytetit e fshatrave tona”, ka potencuar Kryetari Agim Aliu.
Kryetari Aliu, gjatë kësaj paraqitje para asamblistëve ka paraqitur edhe projektet e tjera që po realizohen.
“Si të tillë, kemi ideuar dhe nisur procedurat për projektin madhor infrastrukturor, atë të ndërtimit të nënkalimit për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni Policor në Ferizaj, për të vijuar edhe me projekte të tjera si rikonstruktimi i rrugës “Ahmet Kaçiku” që tashmë po ndodh, për të vijuar edhe me rikonstruktimin e rrugës “12 Qershori”, arterie këto kyçe të qendrës së qytetit, rregullimin e shëtitores rreth shtratit të lumit nga Ura e Dudit tek Ura e Islamit, më pas projekti për asfaltimin e rrugës “Cen Dugolli” dhe “Reçakut” nga Polica deri tek rruga “Driton Islami” që do të paraqes një model të infrastrukturës rrugore me të gjitha elementet e saja, avancimi i punimeve për rregullimin e Kompleksit të Varrezave të Reja të Qytetit, intensifikimi i punëve në ndërtimin e Stacionit të Ri të Autobusëve, po kështu edhe në lëminë e trajtimit të ujërave të zeza, përmes projekteve të shumta të rregullimit të sistemit të kanalizimeve në zonat ku mungon, edhe përmes projektit madhor për ndërtimin e kolektorit veri-perëndimor për përfshirjen në kanalizimin e fshatrave. Po kështu edhe për ujin e pijshëm, do të ndodhin investime për aq sa kompetenca jonë lokale na mundëson, për t’i siguruar bashkëqytetarëve qasje në sistem të ujësjellësit, këtë përmes projekteve si hapja e puseve dhe rregullimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Ferizajt”, tha Aliu.
Në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2023-2025, gjithashtu janë planifikuar edhe dhjetëra projekte të infrastrukturës publike përfshirë asfaltime të rrugëve të mbetura në fshatra, përfundimin e asfaltimit të rrugicave në zonën urbane, rregullimi i trotuareve si dhe projekte të tjera të cilat janë të specifikuara në këtë dokument, realizimi i të cilave do të rris standardin e zhvillimit të infrastrukturës publike për gjithë territorin e Ferizajt.
Ndërkaq në fushën e arsimit, do të vijoj puna për ndërtimin e shkollës së mesme në kompleksin e shkollave të mesme pranë Palestrës së Sporteve, po kështu, për t’i bërë me godina të reja do të vijojmë projektet tona në shkollat e fshatrave si në Varosh, Neredime, Sazli, Manastirc, Rahovicë e Tërrn.
“Pa lënë anash edhe investimet në edukimin më të mirë sportiv, krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e sportit përmes projekteve për ndërtimin e sallave sportive në shkollën “Astrit Bytyçi” që tashmë veçse ka filluar, po kështu edhe në shkollën “Ganimete Tërbeshi” si dhe Sallës së Sportit në Fshatin e Vjetër. Fokus të veçantë në kuadër të projeksioneve tona buxhetore në fushën e arsimit zënë edhe projektet për ndërtimin e kopshteve të reja për fëmijë, që synojmë t’i lokalizojmë si pika të rëndësishme e lehtë të qasshme për një grup fshatrash, si në Komogllavë, Neredime, Talinoc të Muhaxherëve e Dardani, pa mbyllur kështu përkushtimin tonë të vazhdueshëm, për modernizimin e objekteve ekzistuese shkollore, duke renovuar nyjet higjienike-sanitare, pajisur me laboratore e kabinete të punës profesionale”, ka thënë Kryetari Aliu.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka folur edhe për investimet në fushën e bujqësisë, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, në fushën e zhvillimit ekonomik, turizmit , në fushën e shërbimeve publike, në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
“Në këtë kuadër edhe në shënim të përvjetorit të 150-të të themelimit të qytetit, synojmë ngritjen e obeliskut, kushtuar ngjarjeve historike që shënuan themelimin e qytetit dhe nga ku buroi një faqe e lavdisë së historisë sonë kombëtare. Investimet në kulturë, rini dhe sport, do të përfshijnë edhe rregullimin e fushës për futboll të madh në Dardani, pa lënë anash edhe investimet në salla sportive në qytet e fshatra, përmes së cilave do të kompletojmë ciklin e investimeve në infrastrukturën sportive, për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë tanë”, ka përfunduar Kryetari Aliu.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës, është aprovuar edhe Plani Komunal i Veprimit për të zhvendosurit për një zgjidhje të qëndrueshme për periudhën 2022-2025, Plani për shfrytëzimin e hapësirave publike, ndërkaq është marr vendim që në diskutim publik te del Strategjia e Turizmit në Komunën e Ferizajt për periudhën kohore 2023-2027, si dhe Draft-Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Ferizajt.
Poashtu është vendosur që pjesë e themelimit të panelit përzgjedhës për krijimin e komitetit konsultativ të jene edhe këta anëtare: Sadat Ismajli nga PDK, Shqipe Jashari-VV, Besim Haziri nga LDK, Lorik Krasniqi nga shoqëria civil si dhe nga ekzekutivi Kemajl Emini. Në këtë mbledhje drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka dhënë edhe dy propozime për ndarjen e rezervave buxhetore të komunës së Ferizajt për vitin 2022 si dhe propozim-vendimin për pagesë të këstit të parë ndaj Qatar Chary.