Promovimi i shkollave profesionale ishte qëllimi i panairit të sotëm që u organizua në Ferizaj nga organizata gjermane GIZ, komuna e Ferizajt dhe rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET.
Në këtë panair të karrierës, nxënësit e shkollave profesionale të Ferizajt ekspozuan punime të ndryshme të cilat i praktikojnë në këto shkolla.
Përfaqësuesja e GIZ-it, Julia Becker, tha se GIZ-i gjerman që 20 vite operon në Kosovë me projekte të ndryshme të cilat kanë qëllim aftësimin dhe punësimin e të rinjve.
“GIZ-i është aktiv dhe mbështetë Kosovën që 20 vite dhe do të vazhdojmë të jemi aktiv këtu. Projekti i sotëm është rezultat i aktiviteteve të shumta që kemi realizuar në Ferizaj me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, Sektorin e Rinisë dhe akterët e tjerë. Jemi shumë të kënaqur me të gjitha projektet dhe të ariturat e projekteve që kemi realizuar në Ferizaj. Nuk mundem të parashikoj se çka do të ndodhë më tutje, por me siguri që do të vazhdojmë të jemi aktiv në Kosovë”, tha Becker.
Kurse, Dashurije Ahmeti e cila është pjesë e këtij projekti, tha se qëllimi i këtij panairi është ngritja e vetëdijësimit të nxënësve të shkollave fillore për të vazhduar shkollimin në shkollat profesionale.
“Sot është panairi i karrierës i shkollave profesionale, ideja është që të promovohet puna e nxënësve, por në të njëjtën kohë të ngritet vetëdijësimi tek nxënësit nga shkollat fillore që të mendojnë për shkolla profesionale kështu që i kemi ftuar shkollat profesionale dhe nxënësit e klasave të 9-ta që të vijnë dhe të njihen me programe që këto shkolla ofrojnë në mënyrë që mos të ngarkohen shkollat si gjimnazi e mjekësia, por me u drejtu drejt shkollave profesionale dhe më herët me pas qasje në tregun e punës“, tha Dashurije Ahmeti.
Kurse, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave profesionale thanë se këto panaire iu mundësojnë atyre që të promovojnë se çka ofrojnë këto shkolla.
“Shkolla teknike është prezantuar me punime që kanë të bëjnë me lëminë e elektroteknikës, drejtimi i ndërtimtarisë dhe arkitekturës dhe një drejtim i ri që është tek ne mekatronika ku janë bërë disa prezantime të punimeve që kanë bërë nxënësit tek ne. Ka shumë profesione të mira tek ne, në përgjithësi shkollat profesionale janë pak të lakmueshme nga nxënësit edhe pse duhet të orientohen tek to. Këto panaire janë të mirëseardhura, pasi pak nxënës i njohin profilet tona”, tha mësimdhënësi i shkollës “Pjetër Bogdani”, Xhemil Halili.
“Përfaqësojmë shkollën e Kompetencës, jemi drejtimi i optikës, ne kemi ardhur sot që të prezantojmë dhe me spjegu se çka ofron shkolla jonë dhe mundësitë që ofron kjo shkollë pasi të marrim diplomën. Kushtet në këtë shkollë janë shumë të avancuara, i kemi makineritë shumë të avancuara, ne në këtë drejtim bëjmë riparimin e kornizave dhe bëjmë përpunimin e thjerrëzave, po ashtu bëjmë praktikë dy vite në optika profesionale ku pastaj mund të punësohemi në ato optika ku kemi ndjekur praktikën apo të hapim ordinancën tonë”, tha Arxhenda Lamallari, nxënëse e shkollës profesionale Qendra e Kompetencës.
Në komunën e Ferizajt ekzistojnë 5 shkolla profesionale.