S Q A R I M
Ndaj artikullit të publikuar nga gazeta online “Insajderi” me titull “KOMUNA E FERIZAJT FALSIFIKON TENDERIN 150 MIJË EURO – NË VEND TË MJETEVE GJERMANE SHPËRNDAJNË VEGLA KINEZE
Gjatë ditës së sotme u lansua një lajm i rremë me titull bombastik se kinse Komuna e Ferizajt falsifikoi tenderin 150 mijë eurosh e në vend të mjeteve gjermane janë shpërndarë vegla kineze.
Duke qenë se e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe, motivuar edhe nga pasaktësitë e kundërthëniet që përcjellim gjithë artikullin sqarojmë se:
1. Komuna e Ferizajt, përkatësisht qeverisja Aliu me qëllim përkrahjen e drejtpërdrejt për biznesin prodhues lokal, për herë të parë ka ideuar dhe zbatuar skemën e financimeve për biznese përmes granteve të llogaritura si mjete pune;
2. Për këtë qëllim, Komuna e Ferizajt, përkatësisht Zyra e Prokurimit me kërkesën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, ka nisur procedurën e tenderimit për blerjen e këtyre mjeteve të punës, përcaktuar sipas cilësisë më të lartë të tyre dhe garancisë;
3. Publikisht, këto mjete janë pranuar nga përfituesit sipas skemës dhe përzgjedhjes që ka bërë komisioni komunal përkatës. Ankesë ka patur vetëm në një rast që megjithatë është trajtuar dhe zgjidhur e që një ankesë e vetme nuk mund dhe nuk asnjë kuptim ta njollosë gjithë procesin ku përfitues ishin 38 biznese prodhuese.
Për të hequr çdo dilemë, është vullneti i Kryetarit të Komunës, Agim Aliu që ka insistuar në verifikimet përkatëse gjatë shpërndarjes në terren tek përfituesit, zbatimin strikt të rregullave të prokurimit publik si dhe shqyrtimin e ankesave eventuale.
Kurse për çështjet që kanë të bëjnë me operatorët ekonomik, objekt të këtij projekti apo pretendentët tjerë, Komuna e Ferizajt nuk bart përgjegjësi, përderisa janë përfillur rigorozisht të gjitha procedurat e prokurimit dhe verifikimet përkatëse të domosdoshme për blerjen dhe shpërndarjen e këtyre mjeteve. Pra, raportet mes bizneseve pretendente nuk janë në kompetencën dhe të drejtën e blerësit të shërbimit a produktit, sikurse në rastin konkret të Komunës së Ferizajt.
Duke qenë një proces tërësisht i rregullt në pikëpamje procedurale, një ndihmë direkte për bizneset si asnjëherë më parë nga qeverisjet paraprake, vlerësojmë se tentativat që të baltoset kjo nismë flasin për dashakeqësi, entuziazëm të promovimit të të pavërtetave si dhe thelbësisht mosnjohje elementare e rregullave të prokurimit dhe raportin në këtë mes të porositësit të shërbimit apo produktit, hamendësime këto që nuk informojnë drejt qytetarët.