Ende pa i mbushur një vit e gjysmë që kur është asfaltuar, në rrugën e “Reçakut” e cila çon në drejtim të rrugës “Driton Islami” në Ferizaj, sërish janë rikthyer punimet. Asfalti i shtruar është hequr nga aty, për t’u zëvendësuar me një shtresë tjetër, transmeton Televizioni Tema.
Banorët thonë se këto punime që po bëhen shpesh po u shkaktojnë telashe.
“Nuk ka as dy vite që është bërë asfaltimi, por prej fillimit e kam parë që nuk janë duke e bërë asfaltimin cilësor, por shpresoj që kësaj here ta bëjnë siç duhet”, tha Zymer Arifi, banor i rrugës së “Reçakut”.
“Është shumë e mundimshme, po ashtu situata e tanishme nuk është për me riparu rrugë, por me shpërnda maska, dezinfektues e ndihma për familjet në nevojë”, tha një tjetër qytetar.
Kurse, drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se kjo po ndodhë meqë asfalti i vendosur vitin e kaluar ishte jokualitativ.
“Siç kemi thënë nga fillimi cilësia e punimeve është detyrë e jona, shembull për këtë është edhe rruga e “Reçakut”, aty nuk jemi të kënaqur me cilësinë e punimeve që janë bërë nga kompania dhe si rezultat i kësaj e kemi detyruar edhe një herë kompaninë t’i bëj punimet, është e njëjta kontratë, të gjitha punimet do të bien barrë e kompanisë, buxheti i komunës nuk do të dëmtohet”, tha Bytyqi.
Drejtori i Infrastrukturës njoftoi se njëjtë kanë vepruar edhe me disa rrugë të tjera.
Rregullimi i rrugës së “Reçakut” e cila është e gjatë rreth 1 kilometër, ka kushtuar rreth 150 mijë euro.