Derisa falënderoi stafin shëndetësor për punën që po e bëjnë në përballje me pandeminë, Veseli kërkoi që të realizohen më shumë testime për Covid-19.
“Nuk është me rëndësi numri i statistikave sa është me rëndësi a kemi njerëz të infektuar ose jo. Në një komunë të madhe sic është regjioni i Ferizajt po flasim për vetëm 22 testime. Duhet të ketë më shumë testime në mënyrë që të ndalet zinxhiri i infektuesve të cilët mund ta bartin pa vetëdijen e tyre virusin tek familjarët, në gjithë qytetin e tyre dhe në tërë Kosovën”, tha Veseli.
Veseli tha se PDK-ja ka ndërmarrë një iniciativë për të propozuar një pako emërgjente në vlerë prej 320 milionë eurosh.
“Ajo që është kryesore në këtë moment është se qytetarët tanë po ballafaqohen me pandemi, por pjesa kryesore është se cilat do të jenë pasojat pas tejkalimit të saj, është pjesa socioekonomike, pra direkt sektori privat, kemi të bëjmë me 280 mijë punonjës të sektorit privat që po rrezikohen të mbesin në skema sociale, kjo është ajo që e kam inicuar një iniciativë si PDK dhe presim që të premten të kemi një seancë të jashtëzakonshme. Është një pako prej 320 milionë eurosh që do t’i ndihmojë punëtorët e sektorit privat, ndërmarrësit, por edhe punonjësit shëndetësor dhe komunat të cilat duhet të kenë mjete financiare për ballafaqimin me emergjencat që kanë”, tha Veseli.
Në anën tjetër, kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, tha se kanë angazhuar të gjithë akterët lokal për të menaxhuar këtë situatë pandemie.
“Unë dua të falënderoj të gjithë që janë organizuar dhe të gjitha vendimet po merren së bashku që sa më mirë me kalu këtë pandemi”, tha Aliu.
Kurse, drejtoresha e QKMF-së Nadire Imeri, tha se bashkërisht do t’ia dalin në luftimin e kësaj pandemie.
“Kjo është një përkrahje morale që stafi mjekësor të qëndroj stoik në këtë betejë që jemi tani me këtë pandemi, por besoj që bashkërisht duke respektuar edhe qyetarët masat, kufizimet, mbajtjen e distancës dhe punën e palodhshme të stafit mjekësor, besoj që bashkërisht do t’ia dalim mbarë kësaj beteje”,tha Imeri.
Veseli në Ferizaj vizitoi edhe disa farmaci, furra të bukës, si dhe përfaqësues të biznesve në këtë qytet.