Në mbledhjen e mbajtur sot mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfaqësuesve të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve është marrë vendim që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat.
Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, deklaroi ai.
Ymeri theksoi se detaje tjera do të bëhen publike nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ndryshe, në takimin e mbajtur sot të gjithë pjesëmarrësit janë pajtuar se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 752 raste pozitive me COVID-19. Ndërkohë, vaksinimi kundër virusit ka filluar ditën e djeshme 29 mars.