Konkursi i Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbyllet në orën 15. Në këtë konkurs pritet të pranohen 650 rekrutë të rinj, ndërsa deri më tani kanë aplikuar mbi 5 mijë të interesuar. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori i Departamentit të Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, Skender Zhitia.
Ndonëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e konkursit për pranimin e rekrutëve të rinj – ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën ”Adem Jashari”, në Prishtinë ende ka shumë të rinj që po presin për të aplikuar në këtë konkurs. Në konkursin, i cili do të jetë i hapur deri në orën 15, deri më tani kanë aplikuar mbi 5 mijë aplikantë, thotë Zhitia.
”4474 janë meshkuj, 350 janë femra. Në kuadër të këtij numri janë edhe 122 aplikues që vijnë nga radhët e komuniteteve pakicë, që jetojnë në Kosovë”, sqaron ai.
Shumë të rinj e të reja, përgjatë 11 ditëve, kanë dorëzuar aplikacionet e tyre për t’u bërë pjesë e ushtrisë së vendit. Njëra nga aplikueset, Blerta Veliu, 18 vjeçare, nga fshati Polac i Skenderajt, tha për Radio Kosovën se dëshira e saj është që të bëhet pjesë e FSK-së dhe t’i shërbejë atdheut.
”Pres që të pranohem, të gjithë e kemi këtë dëshirë. Megjithatë nëse nuk pranohesh kësaj radhë, a do të heqësh dorë nga ëndrra jote? Jo, do të vazhdojë të merrem me futboll, do të vazhdojë fakultetin dhe herën tjetër do të konkurrojë prapë”, tha ajo.
Dëshirën që të bëhet ushtar i Kosovës e ka edhe i riu nga Rahoveci, Taulant Morina, i cili shprehet se të jesh ushtar është nder dhe privilegj.
”Për të kontribuar për vendin tim, shpresoj të arrij qëllimin e të bëhem ushtar i Kosovës. Do të aplikoj, ta provoj përsëri”, tha Morina.
Ndërkohë, Zhitia ka shfrytëzuar rastin që me këtë rast të riut nga Skenderaj, Isuf Halitaj, i cili ka pësuar aksident në afërsi të FSK-së, derisa kishte shkuar për aplikim, t’i urojë shërim të shpejtë.
E me shpalljen e tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, në gazetën zyrtare ka ndryshuar kriteri i moshës për aplikuesit që duan të bëhen pjesë e ushtrisë. Këtë vit mund të aplikojnë të gjithë personat nga 18 në 23 vjeç.