Vitit shkollor po i vije fundi. Ka mbetur më pak se një javë mësim dhe nxënësit e shkollave shkojnë në pushim veror.
Gjatë këtij viti nxënësit kanë qenë të zënë me mësime e detyra por ka edhe nga ata që kanë shkaktuar telashe në shkollat e tyre.
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka trajtuar 36 raste kriminale në shkolla, nga këto 11 raste janë akoma nën hetime. Gjimnazi Gjuhësor dhe Shkolla e Mesme Ekonomike dominojnë për nga numri i rasteve të dhunës, krahasuar me shkollat e tjera.
“Vetëm gjatë këtij viti, muajt janar-maj 2022 kemi 36 raste. Por ky trend është në zbritje, në vitin 2017 kemi pas 123 raste, në vitin 2018 kemi pas 85 raste, 2019 kanë qenë 90 raste, në vitin 2020 kanë qenë 52 raste ku pandemia ndoshta ka qenë faktor në zbritjen e rasteve, dhe në 2021 kanë qenë 88 raste. Tendencat dhe interesi i Policisë është që këtë vit kemi më pak raste falë edhe angazhimit të Policisë dhe sektorit rajonal të hetimeve” deklaroi Kanun Veseli – Zëdhënës i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj.
Vetëm gjatë pesë viteve të fundit kjo Drejtori Rajonale e Policisë ka pasur 53 Plane Operative për siguri në shkolla dhe ka mbajtur afër një mijë ligjërata në shkolla me tema nga më të ndryshmet si siguria, dhuna, drogat, delikuenca dhe të tjera.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj në vazhdimësi po tenton që rastet e dhunës në shkolla dhe rreth shkollave t’i zvogëlojë. Bazuar në Strategjinë e Policimit në Bashkësi, policia ka zhvilluar ligjërata nëpër shkolla me tema të ndryshme për parandalimin e këtyre dukurive. Veç ligjëratave, Policia ka ndërmarrë aksione të vazhdueshme me policë të uniformuar dhe civil dhe së fundi është angazhuar sektori rajonal i hetimeve si njësia më e avansuar për hetimin e të gjitha rasteve”. Kujtojmë që gjatë muajit mars, Drejtoria Rajonale e Policisë u takua edhe me drejtorët e shkollave të Ferizajt në mënyrë që rritet bashkëpunimi në luftimin e dukurive negative thotë Kanun Veseli – Zëdhënës i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj./ Televizioni Tema