Shpërndarja e gjuhës së urrejtjes dhe mesazheve të dhunshme në rrjetet sociale dhe disa media rozë janë identifikuar si motive të disa incidenteve të dhunshme mes grupeve të muzikës në Kosovë.
Të dhënat nga institucionet e sigurisë tregojnë që incidente të rrahjeve e deri te përdorimi i armëve mes grupeve të muzikës janë motivuar nga gjuha e urrejtjes, e cila është promovuar në rrjetet sociale e edhe në media.
Incidenti i fundit përfundoi me vrasjen e një të riu në Ferizaj. Edhe pse motivet e ngjarjes nuk janë zbardhur, Prokuroria është duke hetuar edhe pista se ky krim ishte i motivuar nga gjuha e urrejtjes e shpërndarë në rrjetet sociale.
Të dhënat nga institucionet e sigurisë tregojnë që një numër i vogël i rasteve penale janë hapur për gjuhën e urrejtjes që shpërndahet në vend ndërsa rreziqet janë të mëdha pasi shoqëria kosovare vlerësohet të jetë shoqëri e armatosur dhe me potencial të dhunës.
Qytetarët e Kosovës në vitin 2015 në bazë të një llogaritjeje të UNDP-së kishin rreth 250 mijë armë ilegale.
Në ambientin me shumë armë shpërndarja e gjuhës së urrejtjes e ka nxitur Prokurorinë e Ferizajt që të marrë vendime që parandalojnë bartjen e armëve nga qytetarët.
Pas incidentit të vrasjes, e cila besohet se u motivua nga gjuha e urrejtjes, Prokuroria ka vendosur që të gjithë ata që zihen me armë në rrugë të burgosen për 48 orë.
“Në kolegjium kam kërkuar nga prokurorët që personat që zihen me revole duhet patjetër me u ndalu për 48 orë, nuk ka pardon nëse ka revole e nuk ka leje për armë – ai ka me u ndalu për 48 orë”, thotë kryeprokurori Shukri Jashari.
Ai këtë veprim e ka marrë pas rritjes së rasteve të dhunës me armë dhe shtimit të gjuhës së dhunshme në Ferizaj.
Veprimi i Prokurorisë nuk është shoqëruar me veprime të tjera të cilat do ndërtonin standarde që në media dhe në rrjetet sociale të mos ekspozohen mesazhet e dhunshme.
Një pjesë e mediave vazhdojnë t’i mbajnë të pacensuruara mesazhet dhe komentet në Facebook ndërsa pas incidenteve të Ferizajt ka pasur edhe transmetim të mesazheve kërcënuese si zotimet për hakmarrje.
Psikologët thonë se vëzhgimi i dhunës në familje apo komunitet apo edhe portretizimi përmes masmediave, është treguar se ndikon në krijimin e këndvështrimeve të fëmijëve për botën.
Psikologia Brikena Krasniqi-Hoti mendon se gjatë fëmijërisë fëmijët memorizojnë në kujtesë skema të caktuara kognitive sociale, që udhëheqin sjelljen përmes vëzhgimit të familjes, bashkëmoshatarëve, komunitetit dhe mediave.
“Efektet afatgjata të ndikimit të mediave rriten gjithashtu shumë nga mënyra se si masmedia ndikon në emocionet. Ekspozimet e përsëritura ndaj gjuhës së dhunshme dhe sjelljeve agresive të dhunshme në media çojnë në një proces “desentitizim” emocional, që do të thotë, emocionet negative të përjetuara automatikisht nga shikuesit si përgjigje ndaj një skene të veçantë të dhunshme ose të tmerrshme”, thekson Krasniqi-Hoti.
Gjuha e dhunshme në publik po ashtu mbetet shqetësuese edhe për ekspertët si dhe për organet e drejtësisë.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt ka treguar se ka autorizuar Policinë pas raportimit në media se ka pasur dërgime të mesazheve të arkivoleve pas vrasjes së Gazmend Hysenit në qytetin e Ferizajt.
“Kemi autorizuar Policinë me i intervistu personat të cilët i kanë plasuar këto mesazhe, po ashtu një person i mitur edhe është intervistuar dhe nuk e di ende a ka ardhur kallëzimi penal sepse bëhet fjalë edhe për kanosje”, thotë Shukri Jashari.
Për Remzie Shahini-Hoxhajn, profesoreshë në degën e Gazetarisë të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përgjegjësia e përdorimit te gjuhës behet e një rëndësie ende më të madhe kur kemi te bëjmë me sferën publike.
“Gjuha është shumë e rëndësishme si mjet ndërmjetësues në komunikim. Filozofi i njohur gjerman Nitsche ka thënë se gjuha varësisht nga dozimi mund të jetë shëruese ose vdekjeprurëse. Duke e pasur parasysh që gjuha nuk nënkupton vetëm gjuhën e folur por edhe atë të shkruar dhe atë joverbale, transmetimi i pamjeve ku shfaqet dhunë, prodhon dhunën. Tekstet dhe pamjet e dhunshme kanë ndikim në ndryshimin sjelljeve të njerëzve, sepse komunikimi nënkupton edhe sjelljen. Ata njerëz që i ekspozohen dhunës në media janë shumë më shumë të prirur të jenë të dhunshëm në jetë”, thekson Shahini-Hoxhaj.
Se gjuha e dhunshme në publik ka efekt negativ te ne, e posaçërisht te fëmijët dhe të rinjtë, e përmend edhe Brikena Krasniqi-Hoti, specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.
“Të rinjtë më pas mund të mendojnë dhe të përdorin gjuhë agresive në përditshmëri, në tekste të këngëve dhe të planifikojnë veprime agresive pa përjetuar ndikim apo emocione negative”, tha Krasniqi-Hoti.
Armët përdoren shumë edhe në spotet e këngëve në Kosovë dhe transmetimi i tyre bëhet edhe në media. Po ashtu në tekstet e këtyre këngëve shpesh ka edhe gjuhë të urrejtjes ku thirret edhe për vrasje apo edhe thirrje për trafikim e përdorim të drogës.
Në anën tjetër drejtori i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, mendon se nëse institucionet e drejtësisë fillojnë ta monitorojnë gjuhën e përdorur në publik duhet vetë të kenë parasysh lirinë e shprehjes.
“Vetëm duhet me pasë kujdes edhe institucionet që nëse merren me çështje të tilla ta kenë parasysh deri ku mund të shkojnë me këtë qasje në kuptimin e moscenimit të lirisë së shprehjes se shpeshherë e dimë që institucionet e drejtësisë kanë problem për m’e përcaktu kufirin e hollë që ekziston në mes të nxitjes së urrejtjes, shpifjes edhe fryrjes në raport me lirinë e shprehjes, sepse në këto këngë bëhet thirrje jo në mënyrë direkte por në mënyrë indirekte përdorimi i armëve apo qërimi i hesapeve me gupet e tjera rivale”, theksoi Mushkolaj.
Se tekstet e këngëve dhe muzika në përgjithësi mund të ndikojnë shumë te ne e thekson edhe Brikena Krasniqi-Hoti, specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.
Ajo thekson se hulumtimet e shumta thonë se muzika mund të ndikojë shumë në përceptimin që krijojmë për botën.
“Për shkak se në media shpeshherë dhuna portretizohet si një mjet për arritjen e qëllimeve, në përgjithësi në shoqërinë tonë, por edhe në sistemin tonë të drejtësisë këto sjellje janë përforcuar më shumë sesa që janë dënuar, fëmijët dhe të rinjtë mund të përfshihen në procese më komplekse të kushtëzimit social, që nuk janë menjëherë të dukshme, por efektet janë më afatgjatë. Pra përmes gjuhës së dhunshme në publik, teksteve të këngëve me përmbajtje dhune dhe urrejtje, masmediat e normalizojnë përdorimin e dhunës për të arritur qëllimet e dëshiruara”, tha Krasniqi-Hoti.
Hulumtimet në fushën e psikologjisë sugjerojnë se muzika mund të ndikojë shumë në ne në mënyrën se si veprojmë. Tekstet e dhunshme të këngëve rrisin emocionet dhe mendimet negative që mund të çojnë në sjellje agresive dhe të inkurajojnë krimin. Por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që pëlqejnë apo e dëgjojnë atë janë të dhunshëm apo domosdo do të bëhen të tillë.
Ndër të tjera, sipas ekspertëve, ndikimi në shoqëri nga ekspozimi i armëve në publik, gjuha e dhunshme në publik e po ashtu tekstet e këngëve dhe nxitja e urrejtjes mund të jenë me pasoja në shoqëri e sidomos te të rinjtë./ Kallxo.com