Nikolai Viktorovich Staskov, projektuesi kryesor i “desantit rus” në Aeroportin e Sllatinës në vitin 1999, thotë se urdhri për të fluturuar 120 aeroplanë do të ishte dhënë sikur të shkrepej vetëm një plumb ndaj forcave ruse, të cilat më 11 qershor të vitit 1999, jashtë komandës së KFOR-it morën kontrollin e Aeroportit në Sllatinë.
Tre divizione të trupave ajrore, me 120 aeroplanë ishin të gatshme për luftë në Kosovë në qershor të vitit 1999.
“Urdhri për të sulmuar do të ishte dhënë sikur vetëm një plumb të ishte shkrepur ndaj ushtrisë sonë. Gjenerali britanik Michael Jackson, siç dyshojmë ne, i kishte këto informacione, kur tha para kamerave më 12 qershor se rusët mund të qëndrojnë në Sllatinë [aeroport], sepse nuk do të rrezikojë nisjen e Luftës së Tretë Botërore. Po, ne ishim gati për gjithçka”, kështu tha për gazetën serbe “Novosti” gjeneral-lejtnant Nikolai Viktorovich Staskov, kreu i atëhershëm i shtabit të forcës ajrore ushtarake të Federatës Ruse.
Sipas tij, atëherë janë alarmuar tre divizione të parashutistëve të Rusisë, kurse në 120 aeroplanë ishte ngarkuar pajisje luftarake, e gatshme për një desant të madh.
“Presidenti Jelcin, ministri i punëve të Jashtme, Ivanov dhe ministri i Mbrojtjes, Sergejev, marshimin e ushtrisë ruse në Sllatinë e kanë përcjellë përmes televizionit CNN dhe nuk e kanë ditur se çfarë po ndodhte”, ka thënë gjenerali rus.
Gjenerali rus tregon se si erdhi deri te ideja që forcat ruse të niseshin për në Kosovë.
“Pas vendimit politik që forcat tona të mos marrin pjesë në operacionin paqeruajtës në Kosovë, u ulëm në Moskë dhe biseduam se si ta ndihmojmë popullin serb, sepse kishim një vlerësim të inteligjencës nga terreni se çfarë do të ndodhte. Ribkin, Ignatov dhe unë kontaktuam me Shefin e atëhershëm të Shtabit të Përgjithshëm, Anatoly Vasilyevich Kvashninov, dhe gjatë gjithë kohës së bashku me ne ishte GRU (Shërbimi Informativ Ushtarak Rus). Mua, si veteran nga Ballkani, më është dhënë detyra e zgjedhjes së njësisë dhe përcaktimit të rrugës së marshimit. Kishte vetëm tre persona në vertikalen komanduese”, tregon gjenerali rus, përcjell Telegrafi.
Nikolai Viktorovich-Staskov thotë se gjenerali Viktor Zavarzin u bashkua me kolonën e ushtrisë së tij në Beograd por se ai nuk kishte një funksion komandues as nuk i dinte detajet. “Desantnikët” erdhën në Kosovë për 10 orë. Në anën serbe të komandës ishte Presidenti Sllobodan Millosheviq.
“Nuk e di kush ka koordinuar nga Moska komandën me Millosheviqin. Ne u përqendruam në zhvillimin e situatës në terren dhe ardhjen e gjeneralit britanik Jackson. Ky ‘incident’ ishte i paraparë. Vetëm se nuk dihej se si do të përfundonte”, thotë ai.
Gjenerali rus supozon se britanikët kishin informata për mobilizimin në aeroportet ruse dhe se gjenerali Jackson e kishte këtë parasysh, kur tha se “nuk do ta fillojë Luftën e Tretë Botërore “.
Staskov potencoi se krahas parashutistëve ishin të gatshëm edhe aviacioni në distanca të gjata me bombarduesit dhe se “me siguri do të fillonin të shpërthenin unazën ajrore të NATO-s përreth Serbisë, sikur të paraqitej nevoja”.
“Brenda disa ditësh situata u qetësua. U arrit një marrëveshje për shfrytëzimin e aeroportit dhe pjesëmarrjen e kontingjentit rus në KFOR. Për fat të keq, nga pala serbe nuk u kërkua angazhim shtesë”, tha ai.
Gjenerali rus mendon se çështja e Kosovës do të zgjidhet në nivele të larta. Sipas tij, “gjithçka varet nga raporti i forcave dhe besimit ndërmjet të krishterëve dhe muslimanëve të lindjes”.