Rritja e nivelit të pastërtisë përgjatë gjithë territorit të Ferizajt si dhe aplikimi i risive në shërbimet e mirëmbajtjes, është synim i qeverisjes lokale. Për këtë vizion, qeverisja Aliu ka gjetur mbështetjen edhe të GIZ-it gjerman.
I tillë ishte edhe diskutimi që patën përfaqësuesit e GIZ-it gjerman dje me të parin e Ferizajt, Agim Aliu, i cili shoqërohej edhe nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, kryeshefi i KRM “Pastërtia”, Dugagjin Etemi si dhe shef rajonal i operativës i KRM “Pastërtia”, Agim Rexhepi.
Temë bosht e kësaj bisede ishte edhe materializimi i mbështetjes përmes Grantit në Garën për Mjedis të Pastër, për të cilën u dakordua që të nënshkruhet marrëveshja tripalëshe për blerjen e makinerive e pajisjeve në shërbim të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave në gjithë territorin e Ferizajt.
Në këtë takim u diskutuan edhe një varg çështjesh që kanë të bëjnë me nismat lokale për rritjen e nivelit të pastërtisë.
Me theks të veçantë, temat që përbën boshtin e bisedës kishin të bënin me mundësinë e financimit të përbashkët mes Komunës së Ferizajt, KRM “Pastërtia” dhe GIZ-it gjerman, implementimi i proceseve të deritanishme në raportin bashkëpunues mes palëve, implementimi i Planit Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave, shtrirja e shërbimeve në gjithë territorin e Ferizajt, sfidat me stacionin e transferit në fshatin Gurëz si dhe proceset tarifore.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu shprehu falënderimin për gatishmërinë e kurdohershme të GIZ-it gjerman që të ndihmoj Komunën e Ferizajt në jetësimin e nismave në dobi të mjedisit.
Ai shtoi se ky partneritet do të fuqizohet edhe më tutje me veprime konkrete të dyanshme për mbrojtjen e mjedisit.